Drejtoresha e spitalit Infektiv, Najada Çomo së bashku me mjekët e tjerë përmes një deklarate mëngjesin e sotëm mohojnë, duke i cilësuar të pavërteta deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha se është fshehur numri real i vdekjeve nga koronavirusi në Shqipëri.

Mjekët, thonë se këto deklarata janë goditje për ta në këtë periudhë të vështirë, ndërsa “kërcënojnë” se nëse akuzat do të përsëriten do i drejtohen prokurorisë, që të hetojë.

“Shprehim publikisht habinë për deklaratën e bërë nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dje në një emision televiziv.

Janë akuza tronditëse, janë goditje të befasishme të përpjekjeve tona në luftën me covidin.

Nuk është dëshira jonë të merremi me deklarata të tilla, por nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga covid, dhe e themi me përgjegjësi të plotë që është jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht e pamundur.

Çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese që përmban dhe arsyen e vdekjes, e cila është firmosur dhe vulosur me përgjegjësi ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit, që ka konstatuar vdekjen.

Shkakun e vdekjes së një personi nuk e përcaktojnë politikanët, përveç mjekut përkatës.

Kartelën e të ndjerit nuk e zëvendësojnë as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje humanizmin e autorëve të tyre në këtë kohë kaq të vështirë.

Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara.

Bëj me dije se nëse akuza përsëritet ne do të ftojmë organet kompetente që të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartelw mjekësore, ne nuk do të lejojmë kurrsesi pa adresuar me ballafaqim miqësor apo ligjor kërcënimin që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional.

Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo janë tejet të rrezikshme” deklaroi ajo.

Por çfarë tha Lulzim Basha mbrëmë?

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se autoritetet shëndetësore kanë fshehur numrin real të viktimave nga koronavirusi në vendin tonë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Basha, autoritetet kanë publikuar gjithsej për periudhën Mars-Tetor 2020, vetëm 509 raste fatale, ndërsa realisht sipas tij, janë 923 viktima nga COVID-19, 414 më shumë.

Po sipas këtyre të dhënave të liderit demokrat në 17 ditët e para të muajit janë raportuar 128 viktima, ndërsa shifrat reale tregojnë se numri i vdekjeve gjatë këtyre ditëve është më shumë se dyfish, plot 315 vdekje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re