Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka tha se akuzat e Sali Berishës ndaj SPAK tregojnë dëshpërim. E ftuar në Abc News me moderatoren Juli Krisafi, Bushka theksoi se drejtësia e re është në rrugën e duhur dhe kjo reflektohet në hetimet ndaj ish zyrtarëve, që siç tha ajo, “nuk iu hynte as gjembi në këmbë”.

“Një akuzë që nuk qëndron sepse në sajë të një reforme rrënjësore të drejtësisë, kemi arritur në rezultatet e para ku zyrtarë të lartë janë pjesë e hetimeve të SPAK dhe janë thirrur ndryshe nga çfarë ndodhte ku kultura e pandëshkueshmërisë mbizotëronte dhe proceset gjyqësore mbylleshin.

Është e kotë të bëjmë një analizë të punës së SPAK sepse ka një analizë të qartë se çfarë rezultatet kanë institucionet e drejtësisë. Çfarëdo përpjekje për të minuar punën e këtyre organeve për mua tregon dëshpërim dhe një situatë të dalë jashtë kontrolli në kampin opozitar, që drejtohet nga Berisha.

Nuk ka asnjë argument për këtë. Mjafton të krahasojmë si ishte drejtësia para reformës në drejtësi dhe si është sot. A kanë sot qytetarët përceptimin se të gjithë janë të barabartë para ligjit?

Po, kanë filluar ta kenë. Kur shohim ish zyrtarë me pozita të lartë që nuk u hynte gjembi në këmbë dhe sot janë si çdo qytetar tjetër për tu thirrur, dëshmuar dhe për të qenë pjesë e hetimeve, kjo tregon se drejtësia është në rrugën e mbarë dhe çdo akuzë e Berishës tregon frikërat e tyre nga drejtësia e re.”, tha Bushka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re