Skip to content

Akuzat e opozitës për postera, Xhafaj: Sindromë e skenarëve konspiracioniste, ne nuk mbjellim urrejtje

Deputeti socialist Etjen Xhafaj në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me fushatën elektorale që PS po zhvillon dhe akuzave të kundërshtarëve.

 

Si duket kjo fushatë krahasuar me të tjerat?

 

“Unë besoj se përgjithësisht është një fushatë e qetë, një fushatë në të cilën ne po shikojmë komunikimin me qytetarët si nevojë primare si Parti Socialiste dhe po vijojmë atë që ka qenë turi jonë i takimeve në gjithë muajt e fundit”, tha ai. “Bashkia e Rrogozhinës po ashtu dhe e Kavajës duke qenë se janë bashki të vogla pa media, përdorim rrjetet sociale për të promovuar ato që janë aktivitete kryesore të fushatës”, shtoi ai.

 

PD ankohet se fushata ka nisur e pabarabartë me PS që e akuzon se përdorë mjete shtetërore, si rritja e rrogave apo me pretendimin se më shumë se 400 milionë euro është vlera e tenderave e shpallur vetëm në katër muajt e fundit. Çfarë mendoni për këta akuza?

 

“Duke njohur mënyrën se si funksionojnë financat shtetërore do të thoja që në fakt është diçka e gabuar. PD ka qenë ajo forcë politike e cila vazhdimisht ka kërkuar rritje pagash, e cila deri në këto momente nuk ka ndodhur si pasojë e atyre që kanë qenë problemet e mëdha me të cilat është përballur ekonomia shqiptare. Sigurisht, edhe financat publike, duke filluar nga tërmeti dhe nevoja e rindërtimit, nga pandemia dhe rritja e kapaciteteve të gjithë sistemit shëndetësor dhe kriza energjitike e inflacioni I luftës. Inflacioni i luftës ka nevojë edhe për një reagim, i cili do iu bëhej financave publike, veçanërisht ato që janë pagat e administratës publike, për të fuqizuar fuqinë blerëse dhe për t’i dhënë frymë ekonomisë. Kjo është në fakt ajo që po bën qeveria dhe që PS e ka mbështetur tërësisht, një nevojë për t’u përballur me situatat që kemi përballë, një nevojë për të ndihmuar njerëzit që të kenë aftësi më të mëdha ekonomike për t’u përballur me rritjen e çmimeve dhe njëkohësisht edhe për të pasur një siguri më afatgjatë për ta. Këto nuk janë veprime elektorale, elektorale do të ishte nëse do të kishtë një bonus. Rritja e pagave është një rritje konsistente e cila do të vazhdojë, siç është shpallur nga kryeministri do të ketë dy tapa”, theksoi ai.

 

PS është zotuar të mos shpenzojë me postera në fushatë, por të investojë në mbjelljen e pemëve. Por, opozita akuzon se ju po nxisni gjuhën e urrejtjes duke iu referuar posterva të shpërndara gjithandej, ku duket se fotografia e Berishës dhe Metës është stigmatizuar negativisht?

 

“Besoj që fushata jonë është duke treguar fare qartë se me çfarë po përballet jo vetëm ne, spektri politik, por të gjithë qytetarët duke parë nga zgjedhjet e 14 majit. Janë dy realitete shumë të ndryshme, është ky realiteti i tranzicionit të zhurmshëm që vetëm baltos, i cili ka filluar që kur ishin televizionet bardhë e zi dhe fillon edhe sot në dekadën e katërt të tij të kërkojë të sherros dhe të përçajë shqiptarët dhe është ky drejtimi që kemi zgjedhur për ta çuar Shqipërinë në atë që është etapa e radhës e saj, në procesin e integrimit. Nuk kemi përdorur në asnjë moment gjuhën e dhunës, përkundrazi izolimi i opozitës i ka krijuar asaj këtë sindromën, që në fakt e ka pasur përherë gjatë këtyre 32 viteve të fundit, të gjithë këtyre skenarëve konspiracioniste, ku palë të ndryshme përpiqen vetëm të minojnë ata”, theksoi ai.