Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri garantoi se nuk ka marrëveshje nafte të qeverisë shqiptare me kompani të lidhura me rusët.

 

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Gjiknuri që ka qenë dhe ish ministër i Infrastrukturës dhe i Energjisë i cilësoi shpifje akuzat e opozitës për dhënie licence nafte një kompanie me lidhje me McGonigal.

 

“Së pari, këtu aludohet se pse kemi takuar ne një zyrtar të lartë të FBI. Natyrshëm për pozicionin që mbante çdo njeri do ta kishte nder ta takonte. Aq më tepër që edhe zotëria në fjalë (Sali Berisha) ‘kryedordomuzi’ atë tha: patjetër që po edhe unë do ta takoja. Pra, këtë autoritet të lartë çdo njeri do e priste. E dyta, nuk sollët asnjë fakt përveçse shpifjet. Edhe faktet që dihen i interpretoni sipas mënyrës tuaj. Nuk është fare e vërtetë që ai zotëria ka ardhur për interesa nafte këtu. Ka thënë bëni kujdes me transaksione të caktuara pasi shumë kompani mund të kamuflohen nëpërmjet kompanive perëndimore. Një problem që filloi të bëhet në Europë më i theksuar sidomos vitet e fundit.

 

Mos e shikoni Rusinë me sytë e 10-15 viteve më parë, por si atë që u shndërrua pas situatës në Ukrainë. Këtu ngrihet një shpifje absurde që qënka dhënë një licencë nafte një kompanie që paska lidhje me z. McGonigal”, deklaroi Gjiknuri.

 

Numri dy i socialistëve nënvizoi se opozita gënjen kur thotë se ka marrëveshje të lidhur për fushat e naftës.

 

 

“Gënjeni haptazi kur thoni ka një marrëveshje të lidhur për fushat e naftës. Sot që flasim, le të nxjerrë dikush ku është marrëveshja e lidhur! Nuk ka marrëveshje nafte të qeverisë shqiptare me “Terra-Oil” për fushat e Gorisht-Kocul. Vërtet pati një garë të hapur, pati një luftë mes kompanive, çështja ka përfunduar në gjykatë dhe nuk ka asnjë vendim gjykate që ju e citoni këtu. Ai vendim i marrë në gjykatën e Vlorës, që nuk ishte kompetente sepse ishte gjykata administrative e Tiranës që duhej të shprehej, është prishur, nuk është më fare ai vendim. Për çfarë e citoni ju këtu kur çështja është në gjykim në Shkallën e Parë në gjykatën administrative”, tha Gjiknuri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re