Akuzave të deputetit të zgjedhur të PS Petro Koçi për tenderat në bashkinë e Fierit, u është përgjigjur herë të parë kryetari i Bashkisë Armando Subashi. Ai e quajti diversion, kanalizimin e akuzave në drejtim të tij, duke theksuar se e mbështet shqetësimin e Koçit pasi sipas tij, ku ka shkelje, secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta.

Subashi tha nga fusha e mbetjeve në Fier, se kanë qenë mediat ato që kanë tentuar të shtrembërojnë një shqetësim të deputetit ndërsa shtoi se SPAK nuk ka qenë kurrë në institucionin e bashkisë që ai drejton për të hetuar në lidhje me këtë akuzë.

“Ndaj meje? Ndaj meje? Këtu je duke abuzuar. Nuk i bën dot këtë diversione me PS. Në asnjë momente në deklaratat e Koçit nuk është bërë asnjë sinuatë me bashkinë. Ne nuk jemi kundër edhe ne i mbështesim. Ku ka shkelje secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Por meqë ma bërë këtë pyetje pa dyshim që për mua ka qenë spekulim i pastër i shumë mediave.

Me dashje apo dashje janë munduar të shtrembërojnë një shqetësim dhe ta kanalizojnë drejt bashkisë. Duke vendosur një deputet kundër kryetarit të Bashkisë ky është një lajm. SPAK nuk ka qenë në bashkinë e Fierit. Ky është një lajm i rremë. Çdo institucion është i hapur për çdo hetim për çdo gjë që organet ligjzbatuese mund ta hetojnë. Fakti që një institucion shkon për të bërë hetim nuk është fundi i botës. Përkundrazi është shumë mirë”, deklaroi Subashi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re