E gjitha ajo copëz ligjërimi akuzues mes vetë aktorëve opozitarë, vuan nga aftësia për të qenë bindëse në çfarë pretendojnë për njëri-tjetrin. Në më shumtën e herës janë surreale, fantazmagorike, sigurisht jo logjike, përzierë gjithnjë me konspiracion.

Si shembull, ajo që tha Meta së fundi për Bashën, në lidhje me Marrëveshjen Detare me Greqinë, atë fimosur nga Basha si ministër i Jashtëm i qeverisjes “Berisha”, pra nën këtë të fundit, është tërësisht pa asnjë sens logjik.

Meta pretendoi se Basha ka anashkaluar kryeministrin për atë marrëveshje.

Por kush ishte kryeministër? Berisha. Pra, Basha, për një çështje aq të nxehtë, paskërka anashkaluar atë që nuk anashkalohet dot, e as mund te anashkalohej në ato rrethana, Berishën. Aq më pak nga Basha, aq më pak një marëveshje të tillë.

Ndërkohë, është Berisha që e mbron atë marrëveshje. Ndërsa Basha kurrë se ka avokuar atë.

Kalojmë te Basha që s’i lë gjë mangut Metës në nonsense.

“Fakti është që negociatat e 2009 u kryen nga ekspertët e Ministrisë së Jashtme dhe pjesa diplomatike u ndoq nga një person i sjellë nga Rama dhe Meta”, tha ai si reagim.

Po ç’lidhje kishte Rama e Meta në atë kohë me Marrëveshjen me Greqinë. As drejtpërdrejt, as tërthorazi, ata nuk kishin asnjë lloj aksesi në qeverisje. Ishin në opozitë, madje të ndarë nga njëri-tjetri.

Është ky vetëm një shembull ndër dhjetra sosh, i cili tregon ndër të tjera dhe krizën personale të këtyre personazheve në politikën aktive, ku nuk arrijnë dot të ofrojnë arsyetime logjike dhe të besueshme qoftë dhe në një akuzë kur e artikulojnë. (Tesheshi)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re