Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Klement Zguri, ka përgënjeshtruar lajmet e shpërndara në disa media pranë opozitës ku hidhen akuza për manipulim të numrit të votuesve.

Përmes një deklarate zyrtare, Zguri shprehet se shifrat e publikuara në media janë veç disa të dhëna paraprake të marra përmes telefonit dhe nuk janë zyrtare.

Kreu i KQZ-së siguroi se procesi do të kryhet me seriozitet deri në zbardhjen e tabelës përfundimtare.

“Tabelat përmbledhëse duhet të përmbajnë numrin e saktë në votim, si dhe numrin e votave për çdo kandidat. Si rregull këto shifra duhet të korrespondojnë. Nëse shifrat janë kontradiktore, ky mund të jetë tregues paaftësie, por edhe tregues parregullsie. Se ç’ka ndodhur në rastin konkret kjo do të zbulohet nga hetimi.

KQZ ka dy mundësi për verifikim, zbulon dhe korrigjon gabimet, shqyrtimi i ankimimeve zgjedhore kundër rezultatit. Për këtë, duhet që subjektet zgjedhore të depozitojnë ankime. Kërkohet bashkëpunimi i subjekteve zgjedhore, që vënë në lëvizje KQZ. Ka rëndësi vënia në lëvizje e procedurës, nëse duam të kuptojmë të vërtetën e këtyre shifrave.

Saktësia e tyre është vendimtare për cilësinë e procesit të 30 qershorit, ndaj KQZ duhet t’i trajtojë me seriozitet. Kolegët e KQZ duhet të bëjnë gjithçka për të sjellë qartësi të plotë”, tha Zguri.()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re