Skip to content

Akuzat për tenderin në Zimbabve/ Mirel Mërtiri nxjerr blof PD-në dhe portalet: Nuk jam unë Ilir Dedja!

Biznesmeni Mirel Mërtiri ka reaguar për herë të parë, pas lajmeve të publikuara në mediat e huaja se ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është përfshirë në skandalin e tenderave në Zimbabve.

Mirel Mërtiri, thotë se nuk ka asnjë lidhje me kontratën e firmosur me autoritetet e Zimbabve, ngjarje për të cilën u shkarkua dhe ministri i Shëndetësisë së këtij shteti.

Në një reagim publik biznesmeni Mërtiri, i cili sipas mediave të huaja përdorte identitetin, “Ilir Dedja”, mohon pretendimet dhe thekson se “unë nuk jam Ilir Dedja”.

Ndërkohë që lidhur me fotografitë që kanë qarkulluar, ku ai është në prani të autoriteteve të Zimbabve, Mirel Mërtiri shprehet se nuk ka asnjë lidhje me kontratën në fjalë dhe imazhi i tij është përdorur qëllimisht për të krijuar një skandal.

“Duke marrë shkas nga shumë publikime të bëra së fundmi në portale, media të shkruara dhe vizive, lidhur me emrin tim, unë Mirel Mertiri i datëlindjes 08/08/1978 deklaroj në përgjegjësinë time të plotë, se të gjitha spekullimet lidhur me implikimin tim në kontraten e përfolur në Zimbabwe mes kompanisë Zviceriane Drax Consult Sagl dhe Natpharm janë të pavërteta.

Fotografitë e mia të publikuara gjerësisht në media, nuk kanë asnjë lidhje me kontratën në fjalë, por është përdorur qëllimisht për të krijuar skandal dhe dëmtuar reputacionin tim.

Unë nuk jam Ilir Dedja. Ditën e sotme kam ngritur Padi Penale per disa nga mediat të cilat kanë cenuar me dashakeqësi dinjitetin dhe integritetin tim me publikimet e tyre krejtësisht të pabaza.” – thekson Mirel Mërtiri.

Disa portale që njihen si të djathta, prej disa ditë në një sulm të kordinuar, kanë nxjerr lajmin se Mirel Mërtiri është përfshirë në një tender ne Zimbabve, me një emër tjetër, Ilir Dedja.

Bien edhe akuzat e PD

Duke theksuar se Shqipëria nuk lufton dot korrupsionin as sa Zimbabve, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu thotë se qeveria shqiptare vazhdon të paguajë miliona euro Klodian Mërtirin i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.

Sipas tij, Mërtiri mbron interesat e Edi Ramës, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliaj tek “kryevepra 400 milionë euro e korrupsionit të Ramës, inceneratori dhe landfilli në PPP në Sharrë”.

Balliu thotë se biznesi i tij vazhdon i pa cenuar pavarësisht se i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në emër të PD-së, Balliu shprehet se opozita ka faktuar shumë se çështja e inceneratorëve është një aferë korruptive, ndërsa i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion ta hetojë këtë “korrupsion që të çon jo vetëm në zyrën e një ministri, por në zyrën e vetë kryeministrit të Shqipërisë”.

/shqip