Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Beratit, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh.

Në kuadër të operacionit të koduar “Lagjet”, pas hekurave ranë shtetasit me inicialet E. E., 32 vjeç, F. C, 30 vjeç dhe R. L., 22 vjeç, të tre banues në Berat.

NJOFTIMI I POLICISE

U kapën në flagrancë teksa vidhnin në një lokal, arrestohen 3 shtetas. Të arrestuarit, bashkëpunëtorë për kryerjen e 8 vjedhjeve të tjera, në banesa të ndryshme në Berat, gjatë 2 muajve të fundit. Sekuestrohen disa nga sendet e vjedhura dhe 3 celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat, si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, të kryer në bazë të denoncimeve të marra nga qytetarët, për disa raste vjedhjesh, në lagje të ndryshme të qytetit të Beratit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lagjet”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

-E. E., 32 vjeç, F. C, 30 vjeç dhe R. L., 22 vjeç, të tre banues në Berat.

Këta shtetas u kapën në flagrancë, mbrëmjen e djeshme, teksa ishin duke vjedhur para dhe produkte, në një lokal në lagjen “30-vjetori”.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Lagjet”, dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrit, janë autorë të 8 vjedhjeve të tjera të pajisjeve dhe sendeve të ndryshme, të kryera gjatë 2 muajve të fundit, në disa banesa në qytetin e Beratit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa nga sendet e vjedhura dhe 3 celularë. Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga shtetasit E. E., F. C., dhe R. L. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re