Një person është vënë në prangat e policisë së Krujës pasi akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike.

Sipas policisë në kuadër të fazës së 18-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, nga Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë është bërë i mundur sekuestrimi i 208 fara të dyshuara narkotike kanabis, të mbjella në kubikë, sasi lënde narkotike kanabis dhe një peshore elektronike.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet faza e 18-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, nga Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë.

Parandalohet një rast i tentativës për të kultivuar bimë narkotike.

Zbulohen tre ambiente të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Sekuestrohen 208 fara të dyshuara narkotike kanabis, të mbjella në kubikë, sasi lënde narkotike kanabis dhe një peshore elektronike.

Vihet në pranga autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.

Më herët, si rezultat i fazave të tjera të këtij megaoperacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 9448 bimë të dyshuara narkotike kanabis.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në vijim të megaoperacionit policor antikanabis “Territor i pastër”, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas do të kultivonte bimë narkotike dhe se në afërsi të banesës së tij, kishte përshtatur ambiente për tharjen e saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet dhe kanë finalizuar fazën e 18-të të këtij megaoperacioni.

Në kuadër të kësaj faze u bë arrestimi i 55 vjeçarit, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Dukagjin i Ri, Krujë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 208 fara të dyshuara narkotike kanabis, të mbjella në kubikë, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis dhe një peshore elektronike.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në afërsi të kësaj banese, u konstatuan 3 ambiente të përshtatura për tharje të bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re