Gjykata e Sarandës ka vendosur sot të lërë në qeli ish-drejtorin e ALUIZNI-t Sarandë, Mariel Murati 47 vjeç. Seanca gjyqësore është zhvilluar 4 ditë pas vetëdorëzimit të Muratit dhe ka zgjatur për plot 4 orë.
Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale “ ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Nga 10 të ndaluarit në kuadër të operacionit të nisur në 13 mars, në masë “Arrest në burg” ndodhet vetëm Mariel Murati. Dy prej tyre janë lënë në masën “Arrest në shtëpi” ndërsa 7 të tjerë janë lënë në masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Në kërkim për këtë dosje vazhdon të jetë Kozeta Statha, ish-Drejtore e ASHK Sarandë, e dyshuar për “shpërdorim detyre”. Ndaj kësaj të fundit ka një tjetër masë sigurimi aktive “Arrest në burg” prej marsit 2022, për një dosje për të cilën tashmë kanë filluar edhe proceset gjyqësore.
Mariel Murati akuzohet për ndërtimin e paligjshëm të një hoteli 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës dhe falsifikimin e dokumentave inxhinierikë të saj. Ish zyrtarët e IMT dhe IKMT akuzohen për lejimin e ndërtimit ndërsa ish zyrtarët e ASHK, për legalizimin e saj.
