Mësuesi i edukimit fizik në Tepelenë, Kleanthi Laçi, i arrestuar për akuzat “Ngacmimi seksual” dhe “Kallëzimi i rremë” pasi u dhunua nga tre persona është pezulluar nga detyra. 59 vjeçari u dhunua nga një 29 vjeçar dhe dy të tjerë pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bën me dije se “nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.”

59 vjeçari u arrestua nga policia pas dëshmisë që dha 29 vjeçari Alvi Gumeni, i cili u vetëdorëzua dje në polici. Ai sapo ishte kthyer nga emigracioni pas thirrjes së të motrës për ndihmë. 13 vjeçarja kishte rrëfyer se ishte ngacmuar seksualisht nga mësuesi 59 vjeçar.

Reagimi i ministres Kushi 

“Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.

Besojmë fort se organet e drejtësisë do ta zbardhin shumë shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe do të marrin vendimet e duhura ligjore. Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, qëndrimi ynë për këto raste është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet e drejtësisë, personat përgjegjës përjashtohen përgjithmonë nga sistemi arsimor.

Për këtë arsye, kemi përfshirë një nen të ri në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re