Akuzohet sKa nisur gjyqi ndaj kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje, me SPAK që ka kërkuar të thirren 27 dëshmitarë.

Hetimet nisën pas një materiali të referuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe një kallëzimi të një punonjësi të bashkisë, që u bashkuan në një procedim të vetëm.

Prokurori i SPAK, Dritan Prençi: Janë përdorur edhe metoda speciale, përgjime e vëzhgime. Kristian Shkreli i premtoi investime banorëve të fshatit Stajkë për linjën e energjisë elektrike dhe në këmbim kërkoi votën për Partinë Socialdemokrate.

Hetimet e SPAK kanë nisur më 20 mars, mbi një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Ndërkohë, prokurori i çështjes kërkoi të thirren si dëshmitarë në GJKKO 27 dëshmitarët, të cilët më herët janë pyetur në Prokurorinë e Posaçme në cilësinë e deklaruesve.

Avokatja e Kristian Shkrelit, Rovena Gashi: Nuk jemi dakord me akuzën. Në të gjitha veprimet, komunikimet e përgjimet, janë 500 faqe dhe s’ka asnjë moment që del që i pandehuri Kristian Shkreli të ketë bërë ndonjë vepër penale. Kryetari i bashkisë është telefonuar nga vetë banorët e fshatit Stajkë, nuk i ka marrë Kristian Shkreli ata. Bëhet fjalë për reshje të shumta shiu që kishin dëmtuar linjën. Ankesa ka shkuar nga vetë banorët te portali i bashkëqeverisjes. Më pas, procedurën për remont të shtyllave nuk e ka hapur kryebashkiaku, por OSHEE-ja. Ç’punë ka kryebashkiaku me këtë shërbim? Dhe nuk është investim, por remont, rregullim. Kryebashkiaku për atë punë është aty, të dëgjojë ankesat e qytetarëve dhe t’u qajë hallet, i zgjedhur për këtë punë. Kristiani ia ka përcjellë shqetësimin e fshatarëve drejtorit të OSHEE-së. Për ne nuk ka asnjë akuzë. Ai nuk i ka thënë askujt “votoni për X subjekt politik” në të gjitha telefonatat.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re