Kanali Al-Jazeera me qendër në Katar tha se konsideron përgjegjës qeverinë izraelite për vrasjen e koleges së tyre Shireen Abu Akleh, si rezultat i të shtënave me armë nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Në një deklaratë nga llogaritë e medias sociale, kanali Al-Jazeera tha se “Forcat pushtuese izraelite vranë gazetaren tonë Shireen Abu Akleh, duke shkelur ligjet dhe normat ndërkombëtare dhe duke kryer një atentat për vrasje të projektuar më parë”.

“Dënojmë këtë krim të urryer që synon të pengojë shtypin të përmbushë detyrën e tij dhe e mbajmë përgjegjës qeverinë izraelite për vrasjen e koleges tonë”, thuhet në deklaratën në të cilën tërhiqet vëmendja se gazetarja me përvojë Akleh u vra “me plumba të vërtetë që e vendosën atë në objektiv të drejtpërdrejt ndërsa ajo kishte veshur një jelek shtypi që tregonte qartë identitetin e saj”.

Duke vënë në dukje se do të jenë ndjekës të kësaj ngjarjeje, Al-Jazeera më tej ka theksuar:

“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë dhe të kërkojë llogari ndaj forcave izraelite të cilët vendosën në objektiv dhe vranë qëllimisht Shireen Abu Akleh. Sado që ata të përpiqen të mbulojnë krimet e tyre dhe t‘i shmangen drejtësisë, ne premtojmë se do të ndjekim autorët që ata të japin llogari me rrugët ligjore”.

– Vrasja e gazetares së Al-Jazeera-s, Shireen Abu Akleh

Shireen Abu Akleh, gazetarja me përvojë në terren për kanalin Al-Jazeera, u vra nga zjarri i hapur i ushtarëve izraelitë në orët e para të këtij mëngjesi teksa po ndiqte bastisjen e ushtarëve izraelitë në kampin e refugjatëve Jenin që ndodhet në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Akleh humbi jetën pasi u plagos rëndë në kokë si pasojë e zjarrit të hapur me plumba të vërtetë nga ushtarët izraelitë, ndërkohë që ajo po kryente detyrën e saj dhe teksa kishte të veshur edhe jelekun antiplumb me mbishkrimin “press”.

Gazetarja 51-vjeçare, një prej gazetarëve në terren të gjeneratës së parë të Al-Jazeera-s, prej një kohe të gjatë kryente punime në rajon për të regjistruar sulmet e Izraelit ndaj popullit palestinez në territoret e pushtuara.

Shireen Abu Akleh ka lindur në Kuds në vitin 1971 dhe ishte diplomuar për degën Gazetari dhe Media në Universitetin Yarmouk në Jordani.

Mes palestinezëve dhe forcave izraelite, të cilët këtë mëngjes bastisën kampin Jenin dhe rrethuan shtëpinë e një palestinezi për të arrestuar atë, u shënuan incidente.
Burimi: AA