Skip to content

Al Shaara: S’ka paqe me Izraelin pa u plotësuar këto kushte!

Screenshot 2026 09 22 at 7.00.34 PM.png 1

Presidenti sirian Ahmed Al-Sharaa deklaroi të martën se Siria nuk mund të flasë për marrëdhënie diplomatike dhe paqe me Izraelin për sa kohë vazhdojnë sulmet ajrore izraelite ndaj territorit sirian dhe mbetet e pushtuar Lartësia e Golanit, vendlindja e tij.

Duke folur në një aktivitet të organizuar nga Atlantic Council në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Sharaa tha se që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit, Izraeli ka vazhduar sulmet dhe inkursionet në Siri.

Sipas tij, Izraeli ka marrë nën kontroll edhe territore të reja pas 8 dhjetorit 2024, ditës kur forcat rebele të udhëhequra prej tij hynë në Damask dhe Assad u largua drejt Rusisë.

“Deri më sot, ata vazhdojnë inkursionet, arrestimet brenda Sirisë dhe bombardimet e objektivave të ndryshme”, tha Sharaa, duke shtuar se pavarësisht kësaj, Damasku ka zgjedhur diplomacinë dhe negociatat si rrugë për zgjidhjen e problemeve.

Sipas presidentit sirian, bisedimet me Izraelin kanë avancuar në disa raste, por më pas janë ndërprerë në momentin e fundit.

“Shpesh arrijmë në 90 për qind të një marrëveshjeje sigurie me izraelitët dhe më pas ata tërhiqen për arsye të ndryshme”, tha ai.

Për Sharaa-n, kushti themelor për çdo diskutim mbi paqen është mbrojtja e të drejtave dhe sigurisë së sirianëve.

“Ne duhet të mbrojmë sigurinë dhe të drejtat e sirianëve përpara se të flasim për paqe. Nuk mund të flasim për paqe nëse uzurpohen të drejtat e sirianëve”, deklaroi ai.

Një prej çështjeve kryesore mbetet Lartësia e Golanit, të cilën Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit, Shtetet e Bashkuara njohën në mënyrë të njëanshme sovranitetin izraelit mbi këtë territor.

Edhe Kombet e Bashkuara,  e konsiderojnë ende Golanin një territor sirian të pushtuar padrejtësisht nga Izraeli. Sharaa tha se nuk duhet të ketë debat mbi përkatësinë e këtyre territoreve.

Duke kujtuar një bisedë të mëparshme me Trumpin, ai tregoi me humor se i kishte sugjeruar presidentit amerikan t’ua jepte izraelitëve Nju Xhersin, meqë ndryshe nga Golani, atë territor e zotërojnë amerikanët.

Komenti shkaktoi të qeshura në sallë. Sa i përket Golanit, Sharaa propozoi gjithashtu krijimin e një komiteti ndërkombëtar që të shqyrtojë pretendimet e të dyja palëve dhe të dallojë shqetësimet reale të sigurisë nga ato që ai i konsideron perceptime politike.

Presidenti sirian foli edhe për rolin që Damasku mund të luajë në stabilizimin e Libanit. Sipas tij, Siria mund të ndihmojë në forcimin e institucioneve libaneze dhe në vendosjen e kontrollit shtetëror mbi armët, në mënyrë që asnjë forcë e armatosur të mos veprojë jashtë ligjit.

Në planin e brendshëm, Sharaa tha se Siria po përpiqet të ndërtojë një strukturë të re sigurie, të çmontojë gradualisht milicitë dhe të krijojë një ushtri kombëtare nën kontrollin e shtetit.

Ai mbrojti gjithashtu idenë e largimit të bazave të huaja nga Siria, duke përfshirë ato ruse. Sharaa tha se procesi i tranzicionit do të përfshijë edhe hartimin e një kushtetute të re dhe rishikimin e ligjeve ekzistuese. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e kandidimit të tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.