Uells, Mbretëri e Bashkuar – 16 udhëtarë të linjës së fluturimeve “TUI”, nga ishulli grek Zante, i njohur ndryshe si Zakinthos, për në kryeqytetin e Uells, Kardif, janë infektuar me Covid-19.
Për këtë arsye, autoritetet në Uells, kanë kërkuar vetë-izolimin e të gjithë pasagjerëve dhe ekuipazhit, rreth 200 persona, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e Covid-19.
“Investigimi ynë tregon se mungesa e distancimit social, në veçanti nga një grup 20-30 vjeçarësh, ka sjellë përhapjen e virusit në grupe të tjera njerëzish“, thuhet në njoftimin e autoritetit shëndetësor në Kardif.
Sipas autoriteteve, shtatë persona nga tre grupe të ndryshme, mendohet të jenë përhapësit e virusit.
Një prej pasagjereve, i tha BBC Radio 4, se fluturimi ishte i mbushur me “Covidiots”, një term që i referohet personave që nuk respektojnë masat e distancimit social dhe nuk mbajnë maskë në ambiente ku një gjë e tillë është e detyrueshme.
Ajo gjithashtu pretendoi se shumë pasagjerë i hiqnin maskat dhe lëviznin në avion, për të biseduar me pasagjerë të tjerë.
Greqia është në listën e vendeve nga ku mund të udhëtosh drejt Mbretërisë së Bashkuar, pa patur nevojë të karantinohesh.
Ndërsa, udhëtarët nga një numër i madh vendesh, përfshirë edhe Shqipërinë, janë të detyruar të karantinohen për 14 ditë, pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar. Ata duhet të plotësojnë një formular i cili përmban adresën ku do të qëndrojnë gjatë 14 ditëve të karantinës.
/TPZ.al/
