Një fenomen i rrezikshëm natyror ka rikthyer shqetësimin në fshatin Dëshiran në Bashkinë e Belshit ku disa gropa karstike me thellësi të konsiderueshme janë shfaqur pranë disa banesave duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e familjeve të zonës.

Sipas banorëve dhe burimeve nga pushteti vendor, bëhet fjalë për gropa të thella 10-20-25 metra dhe të gjera 1 deri në 3 metër, të cilat janë krijuar në mënyrë graduale gjatë dy-tre muajve të fundit duke përpirë oborre, rrugë dytësore dhe pjesë të tokës bujqësore.

Ekspertët paralajmërojnë se fenomenet e këtij lloji mund të përkeqësohen për shkak të aktivitetit të nëndheshëm, ndërsa kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe studime të thelluara për të kuptuar ndikimin real në tokat e banuara dhe në strukturat ndërtimore

 

Të shqetësuar dhe në pasiguri të plotë për jetën e tyre, disa prej banorëve të prekur nga fenomeni tregojnë se situata është jashtëzakonisht shqetësuese .Tajar Broshka, Halit Broshka dhe Lina Çarçiu këtë të Hënë kanë bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme. Ata deklarojnë se fundosja tektonike po i afrohet frikshëm banesave të tyre dhe se nuk mund të qëndrojnë më në shtëpi, për shkak të rrezikut real të shembjes së tokës.

 

“Çdo natë e kalojmë me ankth, dëgjojmë zhurma poshtë tokës, dhe shohim si toka shembet centimetër pas centimetri. Nuk presim më, do largohemi vetë.” u shpreh njëri prej banorëve. Sipas informacioneve nga terreni, drejtues të pushtetit vendor të Belshit kanë mbërritur në zonë gjatë kësaj fillim jave duke monitoruar nga afër situatën dhe duke bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm të familjeve që jetojnë më pranë zonës së rrezikut.

Megjithatë, vetë banorët theksojnë se nuk ka ende zgjidhje konkrete afatgjatë dhe kërkojnë ndërhyrje nga strukturat shtetërore, Instituti i Gjeoshkencave dhe Emergjencat Civile, për të garantuar jo vetëm sigurinë, por edhe trajtim dinjitoz në rast zhvendosjeje.Ndërsa fenomenet karstike janë pjesë e veçantë e natyrës së Dumresë, shfaqja e tyre në zonat e banuara është gjithnjë një sinjal alarmi për strukturat e emergjencës dhe mbrojtjes civile. Ndërhyrja në kohë, monitorimi i vazhdueshëm dhe transparenca me publikun janë thelbësore për të shmangur pasoja të rënda për jetën e qytetarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko