Pas prekjes së familjarëve të një punonjëseje të Kadastrës së Durrësit nga Covid-19, të gjithë punonjësit e tjerë, në zyra dhe në terren janë alarmuar dhe kanë ndërprerë shërbimin, duke kërkuar bërjen e testit të tamponit.
Punonjësja e dyshuar për përhapjen e virusit është specialiste sporteli te aplikimet dhe për shkak të natyrës së punës ka kontakt me të gjithë punonjësit e tjerë, si dhe qytetarët aplikues e noterët.
Mëngjesin e së martës pritet që punonjësit e Kadastrës t’i nënshtrohen testit, ndërkohë që është kryer dezinfektimi i ambjenteve të godinës.
Vjehrra dhe vjehrri i specialistes së Kadastrës, me të cilët ka qenë në kontakt të përditshëm kanë rezultuar të infektuar nga SARS-CoV-2. Specialistja ka qenë në punë gjatë javës së kaluar dhe kjo ka shtuar pasigurinë te kolegët e saj që ndjehen të rrezikuar dhe të frikësuar veçanërisht për shëndetin e familjarëve të tyre. Ndaj ata kanë kërkuar që testit t’i nënshtrohen të gjithë dhe jo vetëm punonjësit në sportele.
