Zona e Lushnjës është një ndër zonat me risk të lartë nga zjarret e shumta. Vetëm tri ditët e fundit janë regjistruar 8 zjarre, kryesisht në zonat rurale, ku më problematike ka qenë zona e Karbunarës ku u dogjën agrume ullishte e magazina fermerësh. Po kështu edhe zjarri i rënë në Karavasta ku u dogjën qindra rrënjë ullishte.
Në konkluzionet e dala nga specialistët e sektorit zjarrfikës Lushnjë si dhe ekspertët e grupit hetimor, në të gjitha rastet zjarret janë shkaktuar nga djegia e mbeturinave bimore nga fermerët, të cilëve u del situata jashtë kontrollit.
Rasti më i fundit i zjarreve është ky i orës 17.30 në fshatin Rrupaj, njësia administrative Krutje, ku zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka qenë ndërhyrja emergjente e zjarrfikësve që kanë ndaluar djegien e banesave e serave dhe një parku me bletë.
Vetëm ditën e djeshme janë ndaluar dy persona për zjarrvënie në Lushnjë, ndërsa sot në Rrupaj ka zbarkuar policia dhe grupi hetimor, pasi është e dyta ditë radhazi që shkaktohet zjarr dhe dyshohet se ka qenë i qëllimshëm.