Një mesazh kërcënues për një bombë në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina”, ka ngritur në këmbë policinë e kryeqytetit në Kosovë.
Autoritetet kanë rrethuar oborrin e rektoratit si dhe kanë nisur kontrollet pas kërcënimit për një bombë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar dhe njësia K-9 e qenve të stërvitur.
Policia njoftoi më tutje se kërcënimi ka ardhur rreth orës 16:00 përmes postës elektronike.
“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”.
Në lidhje me ngjarjen, rektori i UP-së Naser Sahiti dha një reagim për Radio Evropa e Lirë.
“Kemi pranuar një e-mail anonim që është vendosur një bombë dhe e kemi dërguar informacionin në polici dhe tani policia e kanë rrethuar vendin dhe janë duke e trajtuar rastin”, tha Sahiti.
