Alarm për bombën në shkollën private “Turgut Ozal”. Nxënësit e shkollës mësohet se janë evakuar, ndërsa prindërit janë lajmëruar për situatën.

“I nderuar prind, Ju informojmë se në shkollë është dërguar një email dhe duhet që nxënësit të largohen për në shtëpi. Po bashkëpunojmë me policinë. Nuk ka panik dhe të gjithë fëmijët janë shumë mirë! Transporti i fëmijëve do të jetë me furgon ose nga ana e prindërve nëse ka mundësi. Do mbetemi në kontakt. Mësuesja kujdestare”, shkruhet në mesazhin drejtuar prindërve nga stafi i shkollës.

Burime nga policia bëjnë me dije se ka pasur një alarm për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”. E-mail iu është dërguar sekretares së shkollës, ndërsa mësuesit dhe nxënësit janë evakuar.

Në shkollë kanë shkuar forcat xheniere dhe nga verifikimi i policisë nuk ka rezultuar asgjë.

Krimi kibernetik ka nisur hetimet për të zbuluar adresën e dërgimit të e-mailit.Edhe pse nuk ka rezultuar asgjë, pasi janë bërë verifikimet policia ka qëndruar tek “Turgut Ozal” për arsye sigurie.

Ndërkohë ka reaguar edhe shkolla private ku shkruan se: “Shkolla “Turgut Ozal” njofton të gjithë prindërit, nxënësit dhe dashamirët se situata është nën kontroll, e qetë dhe në bashkëpunim të plotë me policinë e shtetit. Janë marrë të gjitha masat e sigurisë sipas protokollit në raste emergjence, pavarësisht se lajmi rezultoi i rremë. Falënderojmë policinë e shtetit për gadishmërinë dhe profesionalizmin!”

 

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.

Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës.

Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë.

Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko