Tre persona kanë humbur jetën në spitalin Infektiv 24 orët e fundit. Pavarësisht se shifra është alarmante, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka klasifikuar si vdekje për shkak të koronavirusit.

Në 3 deklarata të shpërndara për rastet në fjalë, ministria sqaron se pacientët vuanin nga sëmundje të tjera dhe ishin me COVID19, por asimtomatik për sëmundjen.

Sot, një pacient 62-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv. Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçari ishte bartës asimptomatik i COVID19 dhe vuante nga ciroze hepatike, spok, insuficiencë e rendë kardiake, diabet, hipertension. “Shkaku i humbjes së jetës, sipas shërbimit infektiv, nuk është COVID19, por nga ciroza hepatike e stadit të fundit”, njoftoi ministria.

Mbrëmë u raportua se një pacient 88 vjeçar nga Tirana kishte ndërruar jetë në spitalin Infektiv. “Referuar shërbimit infektiv, shkaku i humbjes së jetës ishte si pasojë e arrestit kardiak nga insuficienca kardio-respiratore“, njoftoi sërish ministria. I moshuari ishte bartës i COVID19, por asimtomatik për sëmundjen. 88 vjeçari vuante nga insuficienca renale kronike, stadi i katërt, diabet, hipertension, anemi grave.

Edhe të hënën paradite një 76 vjeçare ndërroi jetë në spitalin infektiv në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë informoi se, sipas shërbimit infektiv, pacientja ishte asimptomatike për Covid19 dhe ishte transferuar nga shërbimi i mjekësisë interne ku rezultoi batëse me Covid19.

“Pacientja ka ndërruar jetë nga sëmundja e tumorit të pankreasit, me metastaza hepatike. 76 vjeçarja nga Tirana vuante dhe nga diabeti mellitus dhe Insuficiencë kardiake e dekompesuar”, njoftoi ministria.

Po pse ky ndryshim strategjie nga ministria kur dihet se në të gjitha rastet pacientët e infektuar me COVID-19 që kanë humbur jetën kanë qenë të gjithë bartës të sëmundjeve të tjera?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re