Ish-kreu i shërbimit të inteligjencës britanike MI5, Eliza Manningham-Buller, tha se Mbretëria e Bashkuar mund të jetë tashmë në luftë me Rusinë, duke pasur parasysh intensitetin dhe shkallën e sulmeve kibernetike, sabotazhit dhe aktiviteteve të tjera armiqësore që Moska dyshohet se po kryen kundër Mbretërisë së Bashkuar.
Manningham-Buller u pajtua me vlerësimin e ekspertes së Rusisë, Fiona Hill, e cila tha më parë këtë vit se Moska është tashmë në luftë me Perëndimin, raporton The Guardian. Sipas saj, situata ka ndryshuar pas pushtimit të Ukrainës, dhe aktivitetet ruse në Britani përfshijnë sabotazh, mbledhje inteligjence dhe sulme fizike.
Këtë vit, gjashtë shtetas bullgarë në Mbretërinë e Bashkuar u dënuan për pjesëmarrje në një rrjet spiunazhi, ndërsa pesë burra u shpallën fajtorë për vënien e zjarrit në një depo që përmbante pajisje të destinuara për Ukrainën, të porositura me sa duket nga Moska.
Pat McFadden, atëherë ministër i kabinetit, tha se Rusia kishte rritur sulmet kibernetike ndaj institucioneve dhe kompanive britanike, dhe shumë nga këto sulme ishin të lidhura me burime ruse. Disa aleatë të NATO-s në Evropën Lindore janë goditur gjithashtu nga incidente me dronë, përfshirë Poloninë, ku 19 dronë rusë të paarmatosur hynë në hapësirën e saj ajrore këtë muaj.
Manningham-Buller kujtoi takimin me Vladimir Putin në Londër në vitin 2005 pas samitit të G8, kur tha se kishte përshtypjen se ai ishte “një njeri mjaft i pakëndshëm“. Ajo nuk priste që vitin pasardhës, të jepej urdhri për të vrarë ish-spiunin rus Alexander Litvinenko në Londër, i cili vdiq nga helmimi me polonium radioaktiv.
🎙️New podcast episode
I’m joined by former MI5 Head, Baroness Manningham-Buller. We cover everything from her meeting with Vladimir Putin in 2005 to her lessons from the military on ‘battle rhythm’, the influence of soft power – and her advice for the next generation 🧵1/2 pic.twitter.com/VNRzHy8400— Lord Speaker (@LordSpeaker) September 29, 2025
Në një kontekst më të gjerë, Manningham-Buller kritikoi uljen e ndihmës nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, duke paralajmëruar se kjo hap hapësirë për ndikimin diplomatik të Kinës në vendet e varfra. Ajo theksoi rëndësinë e “fuqisë së butë” – nga BBC World Service deri te ndihma humanitare dhe çminimi, si faktorë kyç në ndikimin britanik në botë. /tesheshi.com/