Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht për incidentin e ndodhur sot në doganën e Qafë-Botës, ku një 39-vjeçar nuk iu bind policisë dhe hyri në Greqi në mënyrë të jashtëligjshme për t’u arrestuar pas ndjekjes në Igumenicë.

Burime zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë deklaruan se ditën e sotme, në pikën kufitare Qafë-Botë, një automjet tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin Gardjan Mirukaj, 39 vjeç, banues në Lezhë, ka kaluar pikën kufitare duke mos iu bindur urdhrit të Policisë për të kryer kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit, duke kaluar në territorin grek në mënyrë të jashtëligjshme dhe duke mos iu bindur për ndalim dhe Policisë Greke.

Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë falë dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, është bërë i mundur ndalimi i këtij shtetasi, në hyrje të Igumenicës, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjet nuk i është konstatuar asnjë send i jashtëligjshëm.

Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re