Alaudin Malaj dha dorëheqjen nga sistemi pothuajse tetë muaj më parë, por telashet nuk i janë ndarë që nga ajo kohë. Një ndër to, jo vetëm mosmarrëveshjet me bashkëshorten, por edhe me ish-kolegët. Dhe pikërisht për këto konflikte që kanë përfunduar në derë të Gjykatës Civile.

Burimet e Gazeta Si tregojnë se ish-gjyqtari ka kallëzuar Adriatik Bocajn, për të cilin insiston se ai duhet hetuar për shpërdorim detyre. Dyshimet e Malajt hedhin dritë hije mbi Bocajn, duke qenë se sipas tij ish-kolegu u shpreh me një vendim civil për sigurim padie përtej afatit të vendosur me ligj që është pesë ditë. Jo vetëm kaq, por Malaj pretendon se Bocaj ia rrëzoi kërkesë-padinë me gjithë argumentet dhe shkaqet ligjore që ai parashtroi duke i bazuar dhe në dyshimet se konflikti civil kishte lindur nga përpjekjet e ish-gruas së Malajt për të dëmtuar pasurinë e përbashkët të tyre.

Një burim i Gazeta Si tregoi se gjyqtari Malaj pretendon në denoncimin e tij se mosmarrëveshjet në familje i nisën gjatë pjesëtimit të pasurisë familjare dhe të përbashkët.

“Marrëdhëniet me bashkëshorten janë tejet të acaruara, madje kanë shkuar deri aty se ajo ka kërkuar edhe urdhër-mbrojtjeje prej meje, si dhe ka shtyrë fëmijët të kërkojnë urdhër-mbrojtjeje prej meje. Në këto kushte dhe me këtë klimë të acaruar, m’u krijuan dyshimet se ish-bashkëshortja do të vinte në rrezik interesat familjare dhe ekonominë familjare, pasi pashë mënyrën se si ajo sillej me ekonominë familjare”, thotë në kallëzim gjyqtari Malaj, sipas burimeve që e citojnë këtë pretendim. Një ndër veprimet që e ka bindur Malajn se po ndodhte diçka me pasurinë e përbashkët është tërheqja cash e një shume, në llogarinë e përbashkët të çiftit.

Pikërisht duke parë transfertat dhe lëvizjet që po kryente ish-bashkëshortja, i bindur se ajo po vepronte në këtë mënyrë për të zeruar llogarinë e përbashkët, Malaj thotë në denoncim se iu drejtua gjykatës për të vendosur sigurim padie që do të thoshte deri diku të ngrinte veprimet financiare të ish-gruas derisa pasuria të pjesëtohej sipas Kodit të Familjes.

“Ju drejtova gjykatës duke pasur parasysh që me masën provizore, ekzekutimi i vendimit do të bëhej i vështirë më pas, por gjyqtari Bocaj e rrëzoi kërkesën, ndonëse i kërkova që e paditura të paraqiste aktet në gjykim sipas kësaj padie”, përmendet në kallëzimin ku denoncohet për shpërdorim detyre një gjyqtar tjetër, që dyshohet nga ish-gjyqtari se shpërdoroi detyrën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re