QSUNT, ka reaguar pas denoncimit të deputetet se Partisë Demokratike, Albana Vokshi, se në qendrën spitalore ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, e për pasojë kanë humbur jetën 4 pacientë të cilët kanë qenë të intubuar.

Në një deklaratë për mediat, QSUNT ka mohuar diçka të tillë, duke sqaruar se në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror, por është bërë ndërhyrje e menjëhershme për rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.

Ndër të tjera, QSUNT, shprehet se nga kjo luhatje e energjisë, nuk është cenuar shërbimi ndaj pacientëve.

“QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment”, theksohet ne reagim.

Reagimi i plotë i QSUNT

QSUNT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon:

Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.

QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment.

Denoncimi i Albana Vokshit

Deputetja Albana Vokshi, në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Shëndetësisë, deklroi se sipas informacioneve që i kanë ardhur, pak ditë më parë në QSUT për më shumë se dy orë kanë ikur dritat dhe nuk ka funksionuar asgjë, duke bërë që katër pacientë që ishin në intubim kanë ndërruar jetë.

Ajo ka kërkuar që sqarime në lidhje me këtë të japë ministrja dhe drejtoresha e QSUT.

“Para se të vija në komision, më është dërguar një informacion nga një qytetar. Për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur të premten në të gdhirë në QSUT. Sipas këtij informacioni dhe është informacion i brendshëm, nga në punonjës që punon aty, duke gdhirë e premtja në QSUT kanë ikur dritat për më shumë se dy orë.

Sipas tij ka pasur katër të sëmurë rëndë që kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe pasi kanë qenë te intubuar. Për dy orë nuk ka funksionuar asgjë, as Backup, apo mënyra të tjera që duhet të ketë një qendër e rëndësishme shëndetësore.

Nëse ky informacion është i vërtetë, do të ishte një skandal shumë i madh. Një spital si QSUT a mund të rri pa drita. A është e vërtetë që të premten në mëngjes duke u gdhirë kanë ikur dritat. Pse s’ka punuar gjeneratori. Ku janë dërguar pacientët”– tha Vokshi

LEXONI EDHE: “Katër të sëmurë ndërruan jetë”- Albana Vokshi kërkon thirrjen e ministres së Shëndetësisë në komision, denoncon: Në QSUT kanë ikur dritat për dy orë! Pacientët ishin të intubuar

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re