Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një postim të sajin në rrjetet sociale, bëri thirrje për miratimin sa më shpejt të pensionit suplementar të poetit të njohur, Jorgo Papingji, i vlerësuar me dekoratën e lartë “Mjeshtër i Madh”.

“Mjeshtrit të Madh” Jorgo Papingji t’i miratohet sa më parë pensioni suplementar! Autor i mbi 4000 teksteve dhe fitues i 17 çmimeve në Festivalet e Këngës në RTSH dhe i 26 çmimeve në Festivalet e Fëmijëve, “Mjeshtri i madh” i teksteve muzikore mbetet për fat të keq ende i pavlerësuar nga Qeveria”, shkruan Vokshi.

Mesazhi i plotë i Vokshit

Një jetë në vargje – “Mjeshtrit të Madh” Jorgo Papingji t’i miratohet sa më parë pensioni suplementar!

“Mjeshtri i madh”, Jorgo Papingji është një nga poetët e mirënjohur e më të dashur për publikun shqiptar që me pasion për muzikën, i shndërroi vargjet në këngë aq të dashura për të gjithë. I këndoi të gjitha moshave, këndoi në të gjitha zhanret e për të gjitha trevat shqiptare.

Autor i mbi 4000 teksteve dhe fitues i 17 çmimeve në Festivalet e Këngës në RTSH dhe i 26 çmimeve në Festivalet e Fëmijëve, “Mjeshtri i madh” i teksteve muzikore mbetet për fat të keq ende i pavlerësuar nga Qeveria.

I bëj thirrje Ministres së Kulturës Elva Margariti dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndjekin sa më parë procedurat e miratimit të pensionit të veçantë për “Mjeshtrin e Madh”, Jorgo Papingji.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re