Subscribe

Në një kohë që situata në veri është ende e trazuar, qeveria e Kosovës zyrtarizoi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së sotme.

 

ALBIN KURTI

KRYEMINISTRI I KOSOVES

 

Aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë. Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, që po aplikojmë për Bashkimin Evropian, edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për nivelin sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë. Ka ardhur koha, që statusin potencial për kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. E kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë, të cilët besojnë thellë se e ardhmja jonë është brenda Bashkimit Evropian krahas shteteve demokratike, me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, barazisë e të sundimit të ligjit.

 

Kurti nënvizoi se Kosova i ka bërë të gjitha përgatitjet në bazë të kërkesave të unionit dhe tashmë ndihet e gatshme për aplikim.

 

ALBIN KURTI

KRYEMINISTRI I KOSOVES

 

Aplikimi ynë në Bashkimin Evropian në njërën anë është përgjigje ndaj premtimit që Bashkimi Evropian i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, por edhe përgjigje direkte ndaj thirrjes së para një jave në Samitin e Tiranës. Krahasuar me shtetet e rajonit në kohën kur ato kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitura; me legjislacion të avancuar e të harmonizuar me Bashkimin Evropian; me institucione të qëndrueshme e me kapacitetet e plota për tu përgjigjur në pyetësorin e Bashkimit Evropian; dhe me indikatorët më të mirë të sundimit të ligjit në rajon.

 

Ndërkohë sot Këshilli për Çështje të Përgjithshme i BE-së miratoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën. Ministrat kaluan konkluzionet ku thuhet se këtij shteti do t’i zyrtarizohet statusi, pas konfirmimit të Këshillit Evropian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re