Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka deklaruar i prerë se Kosova nuk do të marrë vaksina nga Kina dhe Rusia duke theksuar se orientimi i Kosovës ka qenë gjithmonë nga perëndimi.

Pyetur nëse do të veprojnë njësoj si Maqedonia e Veriut, Kurti është shprehur se do ta diskutojnë këtë çështje me partnerët, me vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet dhe në veçanti me Bashkimin Europian.

“Ne planifikojmë ta diskutojmë këtë çështje me partnerët tanë, me vendet që na njohën dhe në veçanti me BE-në. Jo, ne nuk do të marrim vaksina nga Serbia, e cila merr vaksinat nga Rusia dhe Kina. Si për nga vlerat ashtu edhe për nga interesat, orientimi ynë ka qenë gjithmonë drejt Perëndimit”, ka thënë ndër tjerash Kurti.

Kuri është shprehur se në momentin që do të zgjidhet kryeministër i Kosovës gjëja e parë që do të bëjë është alokimi i fondeve të përshtatshme për vaksinimin dhe një program përparësish në lidhje me grupet që do të vaksinohen të parët.

Kurti deklaroi se është planifikuar të vaksinohet 60% e popullsisë gjatë këtij viti në bashkëpunim me Bashkimin Europian.

“Kur unë u largova nga detyra më 3 qershor të vitit të kaluar, kishim vetëm 30 vdekje dhe numri i njerëzve të kuruar ishte tre herë e gjysmë më i lartë se rastet aktive.

Që kur kam lënë detyrën, kemi pasur më shumë se 1500 vdekje”, ka thënë Kurti në një intervistë për Euronews.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re