Pak ditë më parë, Albin Kurti refuzoi vaksinat kineze të ofruara nga Shqipëria, me pretendimin se Kosova do marrë vetëm vaksina nga shtetet që e njohin.

“Duhet ta keni parasysh që Kosova duke qenë që nuk njihet nga jo pak shtete në botë, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej. Orientimi ynë është me shtetet që na kanë njohur andaj edhe e kemi rezervën tonë dhe qëndrimin tonë karshi ofertave të ndryshme të cilat mund të na vinë nga shtetet mosnjohëse”, deklaronte kryeministri Kurti.

Por ndryshe nga Kurti, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, që të hapë disa qendra vaksinimi për qytetarët e Kosovës. Haliti shkruan se do të vaksinohej me çdo vaksinë që po vaksinohen bashkëkombësit e tij në Shqipëri, përfshirë edhe atë kineze.

“Thirrje publike kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Vëlla i dashur Edi, kryeministër i Shqipërisë, marrë parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë me pandeminë COVID-19, dhe në anën tjetër, neglizhencën e institucioneve të vendit për të siguruar vaksinën, të bëjë thirrje që të hapni disa qendra vaksinimi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ky veprim do të ishte i mirëpritur dhe i domosdoshëm në këtë kohë të ligë. Prandaj, vepro sa më shpejt si me rastin e punëtorëve shëndetësorë të Kosovës, për të shpëtuar jetë njerëzish. Unë dua të vaksinohem me cilëndo vaksinë që janë duke u vaksionuar bashkëkombasit e mi në Shqipëri. E, si unë janë shumë në Kosovë. Kryeministër na ndihmo të lutem që ta kalojmë edhe këtë sfidë që e ka goditur njerëzimin.”, shkruan ai në Facebook.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re