Kryeministri Albin Kurti këtë të mërkurë ka pritur në një takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po zhvillon një tur vizitash në Ballkanin Perëndimor.

Kurti në konferencën e përbashkët me zyrtaren e BE-së ka folur edhe për vendimin e qeverisë për targat. Kurti tha se Serbia merr donacione nga BE-ja por vazhdon të militarizohet nga Rusia e Kina.

Ai tha se kanë zbatuar një dakordim të vjetër sa i përket targave por që Serbia u përgjigj me forcë duke grumbulluar mjete luftarake të prodhimit rus.

“Në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri përveçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër, fatkeqësisht Serbia u përgjigj me forcë duke grumbulluar forca ushtarake dhe mjete luftarake siç janë tanket dhe aeroplanët luftarakë të Rusisë”, deklaroi Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se Serbia përfiton donacione dhe fonde nga BE-ja por vazhdon të militarizohet nga Rusia e Kina.

“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë ku Serbia merr donacione nga BE-ja, dhe përkundër që i merr këto donacione pa zbatuar vlera do të duhej të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia e Kina.

Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok e Zveçan pasi këto sulme erdhën pas deklaratave luftënxitëse të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve luftarake në kufi me Kosovën”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re