Kryeministri Edi Rama është shprehur se “Ballkani i Hapur” e ka kryer tashmë misionin e tij dhe se fokusi është tek Procesi i Berlinit.

Kreu i qeveri theksoi se po punohet me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit, dhe se dëshirojnë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor.

“Po punojmë me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.

Ndërkohë që duhet të merremi me këtë, natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne merremi me Oso Kukën”, tha kryeministri Rama në një intervistë për EuroNews.

I pyetur për marrëdhënien e tij me homologun kosovar Albin Kurti, Rama tha se atë e kishte mik, ndërsa ish-presidentin Hashim Thaçi e ka vëlla.

“Që të jemi të qartë, Albin Kurtin e kam mik, Hashim Thaçin e kam vlla. Ndërkohë që Vuçiçin kam pasur komunikim gjatë kohës që mbaheshin të burgosuur tre policët e Kosovës, por nuk dua ta komentoj këtë gjë”, u shpreh kreu i qeverisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re