Albpetrol sh.a ka reaguar pas publikimeve në media mbi ndotjen e shkaktuar në vendburimin naftëmbajtës të Gorisht-Koculit, duke theksuar se situata aktuale është një pasojë e trashëguar nga dekada operimesh të pakontrolluara që datojnë më shumë se 60 vite më parë.

Në një deklaratë zyrtare për mediat, kompania bën të ditur se mbrojtja e mjedisit është kthyer në një prioritet kyç të veprimtarisë së saj, në përputhje me strategjitë kombëtare dhe vendimet e Qeverisë Shqiptare për mbrojtjen e pasurive natyrore.

“Gjatë aktivitetit në këtë zonë për më shumë se 6 dekada, janë prodhuar mbetje të shumta që nuk janë trajtuar sipas protokolleve teknike të zbatuara sot nga Albpetrol. Jemi të angazhuar për rehabilitimin e zonës përreth lumit, sipas standardeve teknike dhe kapaciteteve financiare”, thuhet në deklaratë.

Albpetrol thekson se në zonën e Gorisht-Koculit nuk ka aktivitet ndotës të ri prej kohësh, ndërsa të gjitha operacionet aktuale zhvillohen sipas protokolleve rigoroze teknike, në përputhje me manualet dhe standardet për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas kompanisë, mbetjet e vjetra që ndodhen në këtë zonë aktivizohen në temperatura të larta gjatë verës, gjë që sjell ndotje të përkohshme të dukshme, por që nuk kanë rrjedhje gjatë pjesës tjetër të vitit – një fakt që mund të vërtetohet nga raportimet mjedisore dhe inspektimet zyrtare.

Albpetrol bën të ditur se ka në zbatim një plan masash të qartë për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura historikisht, duke vendosur në qendër të fokusit mbrojtjen e Lumit Vjosë dhe pasurive të tjera natyrore të vendit.

“Po zvogëlojmë çdo vit sasinë e mbetjeve të trashëguara. Kjo vërtetohet nga veprimet konkrete që kemi ndërmarrë dhe që do të intensifikohen më tej për të adresuar problematikat e mbetura”, përfundon deklarata e kompanisë.

Albpetrol garanton publikun se do të vijojë me përkushtim procesin e rehabilitimit mjedisor, duke synuar eliminimin e ndotjeve të së kaluarës dhe mbrojtjen e qëndrueshme të mjedisit për komunitetet përreth zonave naftëmbajtëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re