Aldo Bumçi ka një tjetër qasje në lidhje me pjesëmarrjen e zgjedhësve në 30 qershor.

Ish-deputeti demokrat deklaroi në Top Talk përballë gazetarit Denis Dyrnjaja, se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, sipas tij, erdhi për shkak se kryeministri Rama nuk përdori atë që ai e cilësoi si “artileria rëndë”, thënë ndryshe: Policinë, paratë dhe krimin.

Gjithsesi ai pranon se ka zëra brenda të djathtës që duke parë pjesëmarrjen në votime mendojnë se vendimi per t’i bojkotuar ato ishte i gabuar.

“Edi Rama doli me pjesëmarrje të ulët në votime, por ai nuk vuri në punë instrumentet e rëndë.

Ai nuk kishte nevojë të shpenzonte milionat e eurove, nuk kishte nevojë të përfshinte krimin, të përfshinte Policinë e Shtetit, pra në një palë zgjedhje ku garonte i vetëm ai nuk i përdori këto”, tha ai.

I pyetur nëse: Ju po thoni tani që nëse ju do të ishit në zgjedhje Rama do të përdorte makinerinë e rëndë dhe juve mund të kishit një rezultat tjetër?

Bumçi u përgjigj: “Po ai do të përdorte të gjithë artilerinë e rëndë që ka përdorur zgjedhjet e mëparshme, sepse ai nuk është se pati një qëndrim ndryshe pasi dolën përgjimet apo në këto 2 vite pas 2017-ës.

Nëse Rama do të ishte sjellë ndryshe, ne nuk do kishim marrë këtë akt. Ne e morëm këtë akt sepse ky njeri ka rrëzuar Republikën tonë”.

Bumçi i “qan hallin” ndërkombëtarëve: Kanë probleme të brendshme

Faktin që aksionet e opozitës nuk kanë gjetur mbështetje nga faktori ndërkombëtar ish-ministri i jashtëm demokrat Aldo Bumçi e sheh si një problem të brendshëm të vetë ndërkombëtarëve.

“Ndërkombëtarët janë në këtë moment me shumë probleme dhe halle. Kanë qene vite me probleme dhe nuk ka qenë ajo vëmendje ndaj Shqipërisë që mund të ketë qenë në vite të tjera.

Ndryshe nga 3-4 vite më parë, qoftë edhe një vit më parë, me fillimin e protestave ne kemi një kthim të fuqishëm të vëmendjes ndaj Shqipërisë dhe kjo ka ardhur në 2 forma:

a) ka ardhur me mbulimin mediatik botëror të paprecedentë, mund ta krahasoj vetëm me rrëzimin e Komunizmit. Edi Rama kishte arritur të shuante çdo projektor që hidhte dritë nga problemet e Shqipërisë.

Doli Shqipëria siç është, një narkoshtet. Nuk është folur kurrë në 29 vite për narkoshtet në Shqipëri, është folur për Shqipërinë e Edi Ramës.

b)Kemi 2 raporte ndërkombëtare të këtij viti, raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit janë raportet më të zeza të shkruara. Për krimin e organizuar, drogën dhe për gjendjen e ekonomisë Shqiptare”, tha Bumçi.

“Rama të largohet si Gruevski”, Aldo Bumçi zbulon skenarin e opozitës

Bumçi foli për rrugën që do të ndjekë opozita për të larguar kryeministrin Rama si dhe për faktin nëse do të ketë apo jo një takim Rama-Basha me ndërhyrjen ndërkombëtare. Për Bumçin, Rama duhet të largohet si ish-kryeministri maqedonas, Gruevski.

“Ne kemi modelin e Maqedonisë dhe nuk besoj se shqiptarët e Shqipërisë janë inferiorë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, janë inferiorë ndaj maqedonasve, që atje të pranohet demokraci me rregulla të barabarta dhe këtu të mos pranohet.

Ne nuk jemi inferiorë ndaj maqedonasve të pranojmë një demokraci tjetër. Aty u largua Gruevski, u bënë zgjedhje te lira dhe të ndershme”, u shpreh ish-deputeti.

Bumçi nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjes nëse do të ulej apo jo Basha me Ramën, nëse diçka të tillë do ta kërkonte faktori ndërkombëtar. Ai devijoj duke thënë se Rama është zot i këtij vendi dhe se kryeministri vendos për gjithçka.

“Edi Rama sot është zot i këtij vendi, më vjen keq ta them por Edi Rama sot është zot i këtij vendi. Pushteti i tij ka filluar të bjerë, por ky njeri sot ka arritur që të jete: Gjykatës Kushtetues, prokuror i Përgjithshëm, ai që vendos për pronat e qytetarëve, gjithçka vendoset nga një person i vetëm”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re