Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ju ka drejtuar një letër publike artistëve; Kastriot Tusha dhe Vikena Kamenica, me arsyen që të mos interpretojnë në sheshin para “Teatrit”, pasi sipas letrës, aty është një “skenë krimi”.

Teatri koncerti aleancaTë dy artistët do të mbajnë një koncert në sheshin para Ministrisë së Brendshme, ngjitur me truallin e teatrit, por për aktivistët e Aleancës ky do të ishte një gabim, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për antikushtutshmërinë e kalimit të pronësisë së truallit të teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës.

Aleanca e sheh koncertin si simbolikë dhe u kërkon dy artistëve të qëndrojnë larg filozofisë: “të hedhësh valle në skenën e krimit”.

LETRA:

Të nderuar Kastriot Tusha dhe Vikena Kamenica,*

Ne e duam artin.

Ne e duam artin dhe sigurisht ju jeni në dijeni që ne kemi luftuar shumë për të; kemi organizuar vullnetarisht një festival për mbrojtjen e teatrit me rreth 80 shfaqje të llojeve te ndryshme, duke rijetëzuar teatrin që braktisën.

Kemi kërkuar që të hapen aktivitetet artistike gjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Ne e duam artin, pavarsisht se arti bie edhe në duart e injorantëve dhe kriminelëve.

Ne e duam artin dhe ju jeni artistë shumë të dashur për Shqipërinë, që do të vazhdoni dhe duhet të vazhdoni të bëni punën tuaj, pavarësisht se kush kërkon të fshihet pas emrit tuaj.

Por vendi ku ju doni të jepni koncertin, është një skenë krimi. Është skena e krimit më të madh kundrejt qytetarisë, trashegimisë, kulturës dhe aq me tepër artit.

Ju sigurisht i keni parë pamjet e 17 majit, ku artistë, kolegë tuaj, që kanë qenë dhe në një skenë me ju, u tërhoqën zvarrë me pranga në orën 4:30 të mëngjesit, teksa ndërtesa filloi të shembej me ata brenda.

Pak rëndësi ka çfarë qëndrimi keni ju për këtë çështje, por ju duhet t’i respektoni ata njerëz, z. Tusha dhe znj.Kamenica.

Ata njerëz vazhdojnë të jenë aty çdo ditë,(prej 3 vjet e 5 muaj) pikërisht në atë vend ku ju doni të jepni koncertin.

Ju sigurisht mund edhe të thoni me vete që koncerti juaj nuk ka pse të ketë lidhje me këtë histori, por ky është një naivitet që gjithashtu nuk u shkon për shtat artistëve që i kuptojnë mjaft mirë simbolikat.

E dini që Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë vetëm dy ditë para se të shpallej koncerti juaj pikërisht në sheshin ku ne protestojmë?

E nëse edhe kjo ju duket rastësi, e dini që gjithashtu para tre ditësh u zhvillua një aktivitet artistik në Landfillin e Sharrës, pikërisht në skenën e krimit të Ardit Gjoklaj, nga gruaja e vrasësit të këtij të fundit?

Ju nuk duhet t’ia lejoni vetes të bëheni pjesë e filozofisë “hidh valle në skenën e krimit” , sepse jeni artiste qe e keni vene emrin me punen tuaj dhe jo marioneta.

Me shpresën që respekti të jetë reciprok, ju kërkojmë që koncertin ta zhvilloni në një hapësirë tjetër, sepse për ne është fyerje dhe provokim, për sa kohë kjo luftë nuk ka mbaruar.

*Kjo kërkesë u drejtohet gjithashtu të gjithë artistëve të tjerë që do të jenë pjesë e koncertit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re