Nga Ylli Pata
Nuk duket se janë aspak të rastësishme disa qëndrime që kanë ndodhur në 48 orët e fundit në lidhje me krizën shqiptare.
Dy segmente të politikës europiane kanë qenë të vetmit që kanë thyer izolimin që politika euro-atlantike i ka vendosur Ilir Metës, presidentit të Shqipërisë, pas dekretit të tij për të anuluar 30 qershorin.
Matteo Salvini, numri dy i qeverisë italiane dhe Péter Szijjártó, shefi i diplomacisë hungareze, kanë kontaktuar me Metën dhe kanë folur mbi situatën politike, ku kanë shprehur shqetësimet për një proces ku opozita nuk merr pjesë.
Matteo Salvini, numri dy i qeverisë italiane dhe njëkohësisht ministër i Brendshëm, është aleati më i rëndësishëm i Vladimi Putinit në Bashkim Europian.
Edhe lëvizja “5 Yjet” e Beppe Grillos apo e zv.kryeministrit Di Maio klasifikohet si një grupim filorus, por politikani i vetëm në BE që ka kërkuar zyrtarisht heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ka qenë Matteo Salvini.
Kur grupimi i tij hyri në qeverinë italiane, dy ishin kushtet e panegociueshme të Brukselit, e para që Paolo Savona, të mos emërohej ministër i Ekonomisë, pasi ishte një armik i monedhës së përbashkët euro, si dhe ministri i Jashtëm i Italisë të mos emërohet një njeri i Matteo Salvinit.
Pas disa negociatave të ethshme, u venos qe ministër i Jashtëm i Italisë të emërohet Enzo Moavero Milanesi, një diplomat veteran dhe zyrtar i lartë i Bashkimit Europian.
Dy ditë më pare, ministri Milanesi telefonoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së Lulzim Basha, duke iu bërë të ditur qëndrimin e qeverisë italiane se Ambasada e Romës zyrtare do të ketë vëzhgues në zgjedhjet e 30 qershorit.
Pikërisht një ditë pas telefonatës së Milanesit, Matteo Salvini i telefonoi Ilir Metës, duke thyer izolimin e tij ndërkombëtar.
Dhe si “rastësisht”, në të njëjtën ditë Ilir Meta takoi shefin e diplomacisë së Viktor Orban, një aleat i ngushtë i Putinit në BE.
Përse reagoi Salvini dhe si shpjegohet që qendrimi i tij nuk u koordinua me ministrin e tij të Jashtëm, por edhe me Brukselin, pjesë e të cilit Roma është?!
Pikërisht kjo situatë nuk u komentua fare, siç nuk është komentuar gjithë këto vite se pse influence ruse në Shqipëri bëhet gjithnjë e më e fortë dhe si ka mundësi që njerëz të lidhur me Ilir Metën, si Berat Buzhala, bënë thirrje publikisht pët të mbështetur filorusë si Gruevski, apo përse Ilir Meta dje takoi një zyrtar që Shqipëria s’ka lidhje fare me të, si shefi i diplomacisë së Hungarisë.
Në vitin 2016, Nikolla Gruevski përpara se të largohej nga posti, të vetmit zyrtar që takonte ishin pikërisht qeveritaët e Budapestit.
Dhe ajo që ra në sy është pikërisht deklarata e Salvinit. Ministri i Brendshëm italian, deklaratën nuk e zhvilloi në kuadër të Ministrisë së Brendshme italiane, por të drejtuesit të Lega-s, një parti e qartë filoruse, apo filo-Putin, konkretisht partia më e afërt me Vladimir Putin.
Shefi i Kremlinit, vërtet që ka pasur Berlusconin si mikun më të rëndësishëm në Europë, por ai kurrë nuk u bë aleat i Moskës.
Ndërsa Salvini është sot aleati më i rëndësishëm i Moskës dhe Vladimir Putinit.
Dhe qëndrimi i tij politik, në një kohë që BE ka një qëndrim të ndryshëm, vetëm rastësi nuk është…
Dhe kanë gjetur ditën kur të reagojnë, pikërisht ditën e arrestimit të Nikolla Gruevskit në Budapest, aleatit më të fortë të Putinit në Ballkan, i cili marrëdhëniet më të afërta i ka pasur me Ilir Metën në Tiranë, i cili madje thuhet se e ndihmoi edhe te arratiset nga Shqipëria.
Çfarë do të thotë sot Berat Buzhala, mbështetësi i Gruevskit ne Prishtinë, që nuk lë panel të televizioneve shqiptare pa dalë që të sulmojë Ramën së bashku me Kim Mehmetin?/ tema