Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka përgëzuar kryeminstrin Edi Rama, pas dërgimit në Itali të 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptar në Itali.

Përmes një statusi në “Facebook”, ai uron që ky gjest të mos zventiet nga propaganda, e cila mbart rrezikun që këtij solidariteti, t’i mbivendoset zhurma për kapjen e meritave.

Duka deklaron se u ndje shumë krenar dhe do të donte të ishte edhe ai njëri prej tyre, pasi e do popullin italin dhe është gati të përballet me sakrifica të tilla.

Statusi i plotë i Dukës:

Lajmi për 30 mjekët dhe infermierët që shkuan të ndihmojnë në zonat e prekura nga COVID 19 në Itali, më gëzoi shumë. Më bëri të ndihem mirë dhe krenar, madje do të kisha dëshirë të isha njëri prej tyre. Nuk e them këtë pasi e di që nuk mund të kem asnjë dobi në atë ekip, apo sepse e di që nuk rrezikoj, por sepse e dua popullin italian dhe jam gati të perballem me kësi sakrificash, ashtu si për popullin tim.

Përgëzoj për këtë akt Kryeministrin Rama. Por do të uroja që ky gjest të mos zventiet nga propaganda, e cila mbart rrezikun që këtij solidariteti dhe bujarisë së këtyre njerëzve, t’i mbivendoset zhurma për kapjen e meritave, që askush nuk mohon. 

Po ashtu më duhet të theksoj se përpjekjet për të gjetur cene në këtë ekip, nuk i shërben askujt. Madje dëmton këtë skuadër por edhe ne në sytë e një bote deri tani përgëzuese ndaj nesh.

Thirrja ime është: Më lejoni që këta 30 njerëz, të cilët po vënë në rrezik jetën e tyre, të më përfaqësojnë edhe mua, të të përfaqësojnë edhe ty, të përfaqësojnë të gjithë Shqipërinë.

Na lejoni që edhe ne të jemi krenarë, na lejoni edhe ne që e duam popullin italian njësoj si Kryeministri dhe më shumë se ata që në këtë moment po hedhin baltë mbi traditën e popullit tonë.

Miku i mirë në ditë të vështirë.

Faleminderit!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re