Një nga themeluesit e PD-së, Aleksandër Biberaj, sheh tashmë mundësinë e ribashkimit të demokratëve pas vendimit të Lulzim Basha për t’u dorëhequr, edhe pse ky vendim për të nuk është i sinqertë.

“Nuk ka sinqeritet në dorëheqjen e Bashës. Nuk mund ta bësh dhe të caktosh një person tjetër. Kjo mund të ndodhë kur lideri ndërron jetë ose është sëmurë, jo kur jep dorëheqjen, kjo tregon se ai nuk është lider. Ai duhet të bashkonte PD. Basha nga dje i përket të kaluarës, dhe demokratët duhet të gjejnë vijën e ribashkimit”, deklaroi ai në emisionin “Debat”.

Mundësia e qëndrimit të Bashës në strukturat e partisë, për të është thjesht teorike. “Askush nuk ka dëshirën të largojë Bashën nga PD, ai mbetet deputet i PD,  por nuk di çfarë kontributi mund të japë pas 9 vitesh”, duke shtuar se “ai nuk ka marrë kurrë vota, i janë dhuruar”.

Kritika at Biberaj nuk i kursen edhe lidershipit që deri më 6 mars rrethonte Bashën. “Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Bashën janë humbës serialë, si Alibeaj,  që ka pësuar humbje nga Mallakastra  e tutje.

Por përgjegjësitë sipas tij nuk janë vetëm të Bashës.

“Basha ishte investim i Berishës, dhe ishte ai që duhet ta largonte. Kam qenë kritik ndaj tij në mandatin e dytë, por tashmë ky është një kapitull i mbyllur”. Ai pohon që sidoqoftë mbështetja e tij do të jetë për ish-kryeministrin. “ Sigurisht që edhe unë kam ambicie si çdonjëri në politikë. Unë kam tentuar në 2013 por nuk u lejua. Kjo është histori tjetër, por padyshim do të mbështes zotin Sali Berisha për zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Biberaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re