Bahri Curri

(Me kërkesën tonë shkruan Aleksandra Xhorxheviq, një serbe, e cila para një kohe kishte hyrë në Islam)

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i Cili është i Vetmi që meriton të adhurohet. I Cili tregoi qartë rrugën e shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata që ndoqën këtë rrugë shpëtuan dhe falënderuan për këtë.

Falënderuar qoftë Allahu që për këtë na mëson duke thënë në Kur’an:

“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e Ne as që obligojmë ndokënd çka nuk ka mundësi (të veprojë), të tillët janë banues të Xhenetit dhe në të janë përgjithmonë. Nga zemrat e tyre kemi hequr (zhdukur) çdo gjë që ishte krijuar nga zilia (urrejtja), janë në Xhenet, ku rrjedhin lumenj, e ata thonë: Falënderojmë Allahun që na udhëzoi për këtë (për iman, për punë të mira, na hoqi zilinë, na futi në Xhenet), pse sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi. Vërtet, të Dërguarit e Zotit na e thanë të vërtetën dhe ne i besuam! E atyre u drejtohet thirrje: Ky është Xheneti, ju dha juve për atë që vepruat.” (A’rafë, 42-43)

Salavatet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi Muhamedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili në formë praktike na e qartësoi këtë rrugë, që me pasimin e këtij udhëzimi ta përfundojmë jetën me iman dhe të bashkohemi me Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ne Havdin e tij në Xhenet.

Meqenëse Islami nuk është një e drejtë e rezervuar vetëm për një popull të caktuar, apo klasë të njerëzve, apo për një vend të veçantë, ai i takon çdonjërit që e do atë dhe punon sipas tij. Madje, më i miri është vetëm ai që është më i devotshmi dhe më i binduri në besim, pa dallim ngjyre, kombi, race a gjuhe, siç thotë edhe Allahu në Kur’an:

“S’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur dhe është më i devotshmi.” (Huxhuratë, 13)

Padyshim se Islami u takon edhe serbëve, gjegjësisht atyre që e përqafojnë dhe i përmbahen. Kjo do të thotë se edhe atyre po t’u ofrohej një thirrje më e dendur dhe më serioze për në Islam, sigurisht që do të përgjigjeshin një numër i konsiderueshëm i tyre. Këtë e vërteton përvoja praktike dhe realiteti i vërtetë i kohëve të fundit. Ky realitet na mëson se Drita Hyjnore e Islamit depërton edhe në mese ku kemi menduar se është e vështirë, apo ndoshta kemi menduar se është fare e pamundur. Por, edhe rrjedha e ngjarjeve gjatë historisë na ka dhënë shumë shembuj të tillë duke u nisur që nga koha e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e deri në ditët e sotme. Andaj, ne jemi të obliguar të bëjmë da’vet kudo që jemi dhe me të gjitha format e mundësitë, ndërsa rezultati i mbetet Allahut që Ai ta japë, që me këtë t’ua rikujtojmë dhe t’ua tërheqim vërejtjen muslimanëve si dhe t’i udhëzojmë e mësojmë të tjerët.

Më poshtë kemi rrëfimin e një personazheje të këtij realiteti të përditshmërisë sonë. Një vajzë e re serbe, Aleksandra Djordjevi? e tanimë me emrin Iman, e rritur dhe e edukuar në një ambient (dihet) aspak islam. Por, ndjenjat e saj të mirëfillta e të drejta e trazuan atë sa e sa herë gjatë rrugëtimit të saj jetësor duke u ballafaquar me pyetje sa shumë të vështira, por edhe të pakapshme dhe të papërgjigje. Ajo bëri jo vetëm udhëtim fizik, por sa herë edhe udhëtim shpirtëror derisa Allahu e udhëzoi për në rrugën e qetësisë dhe kënaqësisë shpirtërore që rezultoi me pranimin e Islamit, të cilin edhe e mban me dinjitet e krenari, përmes të cilit e kuptoi edhe qëllimin dhe fisnikërinë e jetës. Ngase kë do Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë dhe kë do e humb:

“Atë që Allahu e udhëzon, ai është në rrugë të drejtë, e atë që e humb, ata janë të dëshpëruarit.” (A’rafë, 178)

“Atë që e udhëzon Allahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte.” (Kehf, 17)

Këto dhe shumë gjëra të tjera i ndodhën asaj. Andaj për të mos e zgjatur më shumë, po ju lëmë me rrëfimin e saj në vijim. Rrëfim, të cilin ajo e shkroi me kërkesën tonë dhe enkas për lexuesit tanë shqipfolës, që të tregojë për jetën dhe peripecitë që pati, e aq më tepër për krenarinë dhe kënaqësinë që ndjenë në Islam. Ajo ka shkruar në serbisht e ne e kemi përkthyer në shqip.

Ajo fillon të rrëfejë:

Rruga ime prej errësirës së injorancës në dritën e Islamit

Tregimi im fillon në Shkup, ku jam lindur para 30 vjetësh, në ditën e parë të Ramazanit. Vitet e para të jetës i kam kaluar në një mjedis të përzier, mes të krishterëve dhe muslimanëve.

Prindërit e mi sipas fesë janë të krishterë ortodoksë, mirëpo ata nuk kanë jetuar si të krishterë, por më tepër si ateistë. Në atë kohë, në vendin tonë sundonte komunizmi dhe thuaja askush nuk e njihte mjaft fenë e vet. Nuk më kanë edukuar në frymën e fesë, por e kam kuptuar se Zoti ekziston. Më kujtohet, kur isha shumë e vogël, gjyshja ime e shtëpisë (nëna e babait) më rrëfente se njeriu ka shpirt dhe trup, dhe shpirti jeton në ne. Unë shpesh, si çdo fëmijë naiv, jam përpjekur “ta shoh” shpirtin tim në pasqyrë përmes gojës së zgjeruar e të hapur.

Njohuritë e para të drejta rreth fesë i kam fituar tek në moshën 15 vjeçare. Atëbotë prindërit e mi u shpërngulën në Serbi dhe atëherë kemi jetuar në një mjedis ekskluzivisht të krishterë. E vetmja fe që kam mundur të kem kontakt me të ishte krishterimi. Kam lexuar Biblën dhe shumë libra tjerë rreth krishterimit. Disa gjëra vërtet kishin kuptim, por shumica e tyre ishin të pakuptimta. Kishte shumë kundërthënie, të cilat vetëm sa më hutonin. Njëra prej tyre ishte edhe nocioni i Trinitetit. Në të gjitha pyetjet e mia që kërkoja të ma shpjegonin nocionin e Botës së Trinitetit, priftërinjtë më thoshin që ashtu thjesht duhet të besoja në të. Si të besoj në diçka, të cilën edhe vet priftërinjtë e kishin të paqartë e as që përpiqeshin të gjejnë ndonjë shpjegim të arsyeshëm e logjik për të, por vetëm thonë: “Duhet ashtu të besosh”.

Konfuzioni më i madh është ndalur kur kam lexuar dhjetë porositë e Zotit, prej të cilave e para thotë: “Unë jam Allahu, Zoti yt; mos beso zotëra të tjerë, përveç Meje!”; e dyta thotë: “Mos i bën vetes idhull ose ndonjë figurë, mos iu fal (lut) e as mos u shërbe atyre!” Hutimi im është ndalur mu për shkak se Zoti shumë qartë ia bëri me dije njeriut se Ai është i Vetëm, e jo tre. Po ashtu ndalon edhe krijimin e figurave dhe idhujve si dhe adhurimin e tyre që do të thotë të mos u shërbesh atyre (atëherë çfarë është ekzistimi i ikonave, puthja (të dashurit) e tyre, lutja para ikonave nëse nuk është idhujtari?).

Pas tërë kësaj fillova të lexoj për budizmin, i cili për mua ishte interesant, por tepër konfuz.

Në atë periudhë, në një këmbim nxënësish, duhej të shkoja në Amerikë. Nuk doja të shkoja në vend të huaj (jashtë vendit) pa mbrojtjen e Zotit, dhe mendoja se Zoti nuk do të jetë me mua nëse nuk jam e pagëzuar (propaganda krishtere thotë se ata që nuk janë të pagëzuar janë të njollosur dhe larg Zotit). Jam pagëzuar aty për aty me iniciativën time para udhëtimit tim në Amerikë, në ditëlindjen time të 18-të.

Vitin e parë e kam kaluar në një familje amerikane si nxënës i këmbyer. Në shkollë jam shoqëruar me një vajzë muslimane, të cilën shpesh e kam pyetur për fenë e saj. Më kujtohet, sa herë jam munduar ta detyroja të hante me mua gjatë pushimeve ndërmjet orëve (në kohën e agjërimit të Ramazanit), përderisa ajo me këmbëngulje dhe pa kurrfarë nervoze më shpjegonte se nuk mund të hante gjatë ditës. Sa larg isha ta kuptoja përkushtimin e saj, por unë përsëri e pyesja: Pse? Pse? Ajo, ashtu e re dhe naive fliste, dihet, gjithçka është e lehtë kur e do Zotin dhe punon për Të. Natyrisht, raporti im me Zotin ishte shumë larg në krahasim se çfarë ajo ndjente për Krijuesin e vet. Nuk e kuptoja për çfarë fliste. Kaluan disa vite, unë fillova të punoja dhe të planifikoja studimet në Kaliforni.

Qëndrimi larg në Amerikë ishte tragjik dhe i keq për mua dhe shpirtin tim. Prej një fëmije të mirë, u bëra i keq, fëmijë i mbrapshtë. U largova nga feja, nga vet Kisha dhe përgjithësisht nga Zoti. Por, Krijuesi i Lartësuar asnjëherë nuk e harroi robin e Tij, ngase çdonjëri sa herë që sinqerisht kërkon përgjigjet, i gjen ato. Isha thellë e bindur në shpirtin tim se me qëndrimin në Amerikë, ku dollari është hyjni (zot), jeta nuk plotësohet (përsoset) aspak dhe se një ditë do të rrëzohesha në provimin e jetës.

U ndjeva keq dhe e pakënaqur me veten time. Edhe pse mësimi më shkonte përdore dhe isha e suksesshme në provime pa shumë mund e përpjekje. Vendosa të kthehem në vendin tim dhe atje të mundohem të studioj. E dija se për mua ishte më mirë të jem në shtëpinë e prindërve dhe larg nga Perëndimi i keq, ku shihej qartë se shejtani i ka robëruar njerëzit.

Në verën e vitit 1995 u ktheva në Serbi. Disa muaj më vonë u nënshkrua marrëveshja e Dejtonit, përmes së cilës përfundoi lufta mes Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjës. Dikur në atë kohë, u regjistrova në Fakultetin Filozofik në Prishtinë.

Një prej banueseve të dhomës sonë (të konviktit) në vitin e parë të studimeve ishte një vajzë boshnjake nga Sarajeva. Më kujtohet se ajo shpesh fliste për Allahun, e madhëronte dhe e falënderonte… Mua më pengonte entuziazmi i saj, ndoshta isha edhe xheloze që unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë, dhe se nuk dija ta doja Zotin. Me një rast edhe u zumë lidhur me luftën në Bosnjë, ngase një të afërm të saj e kishte vrare serbi. Unë i thashë asaj se edhe një i afërm i imi është vrarë nga një musliman i Bosnjës. E pyeta: A më urren për shkak të kësaj, ndërsa unë nuk të urrej? Ajo është përgjigjur se nuk duhet urrejtur qenien njerëzore, të cilën e ka krijuar Allahu, ngase Allahu më do edhe mua. Pas kësaj shpesh më ka thirrur motër, e unë nuk e dija pse. I mora nga ajo disa pamflete që shpjegonin disa parime themelore të Islamit, ndër to edhe të tilla që flisnin për xhihadin.

Atëherë, kuptova se sa afër ishte krishterimi me Islamin dhe se tërë ajo propagandë që e dëgjonim në medie nuk ishte e saktë. Ndoshta këto ishin dyert e para të hapura për mua për ta kuptuar Islamin si feja e drejtë dhe e vërtetë e Allahut.

Pas tërë kësaj shkova në Beograd për të studiuar. Studimet më shkonin mirë, njëfarë dore. Megjithatë, shpesh kam rënë në kriza psikike dhe në depresion. Nuk isha e lumtur, edhe pse isha e rrethuar me shokë të mirë dhe isha e dashur në mesin e kolegëve të fakultetit. Filloi të bie edhe suksesi im. Stagnova në provime, dhe nuk e gjeja veten në to.

Ndërkohë, një shok i imi më njoftoi me një student libias të postdiplomimit, një musliman. Filluam të shoqërohemi. Përmes tij njoha edhe shumë studentë të tjerë dhe bashkëshortet e tyre. Ramazani im i parë me ta ishte domethënës. I shikoja ata, se si falnin akshamin me xhemat pas iftarit. Për mua ky ishte një përjetim plotësisht i ri dhe mallëngjyes që më la të ngazëllyer në njëfarë mënyre të çuditshme. Jam orvatur, mu gjatë kësaj kohe, sa më shpesh të shkoja në kishë, të lutesha sa më shumë para ikonave, por s’më shkonte dot. Doja që edhe unë ta ndjeja atë entuziazëm në fe, sikur e përjetonin shokët e mi muslimanë. Sidoqoftë, sa herë që përpiqesha t’i pëshpëritja lutjet para ikonës së Jezusit, ndjeja se po bëj diçka joadekuate.

Menjëherë i ndërpreva shkuarjet në kishë dhe fillova të lexoja sa më intensivisht për Islamin.Shoku im nga Libia më ofroi martesë, dhe dilema ime e parë lidhur me martesën ishte: Si mundem unë, një e krishtere, t’i edukoj fëmijët muslimanë? Nuk do të dija asgjë për fenë e tij… dhe ashtu nga dashuria ndaj këtij personi fillova të interesohem sa më shumë për fenë e tij, e kështu… kështu duke mësuar sa më shumë për fenë e tij fillova të kuptoj se isha dashuruar në Allahun xhel-le shanuhu dhe se zemra ime i është përkushtuar Islamit. I them në besë shokut tim se unë dua ta ndërroj fenë, kurse ai gjithmonë insistonte në atë që duhej të isha absolutisht e sigurt lidhur me atë që e thosha, ngase ky do të ishte mëkati më i madh nëse e bëja për shkak të dashurisë ndaj tij. Në zemrën time s’kishte kurrfarë dyshimi në asnjë moment, se unë e dëshiroja Islamin, shpërblimin e Allahut xhel-le shanuhu, shpërblimin e besimit tim të ri në Zotin, të sapogjetur!!! Asnjëherë më parë nuk isha më e lumtur se sa atëherë kur mësova për fenë…, ngase e kuptova se kjo ishte e vetmja fe e drejtë dhe e vërtetë!!!

Kjo ndodhi në verën e vitit 2001. Në atë kohë, shoku im u kthye në Libi, ngase i përfundoi studimet postdiplomike. Rrinim në kontakt përmes internetit. Në ndërkohë, unë lexoja sa më shumë për Islamin, thjesht kapërdija të gjitha librat e revistat… Përmes internetit u njoftova me disa motra, të cilat më udhëzuan në literaturën adekuate. Dhe përnjëherë… përjetova një tronditje të plotë. Më nuk mund të jetoja si e krishterë. Ndjeja se sikur po e gënjeja veten dhe të tjerët. U frikësova se mund të vdes brenda natës dhe prindërit e mi të më varrosnin si të krishterë. Kisha ankthe nate. Flija keq ato ditë dhe dëshiroja që ta deklaroj shehadetin nga frika se ajo ditë do të jetë e fundit në jetën time. I kam lutur shokët e mi muslimanë, një çift bashkëshortor arab, të më bëhen dëshmitarë të shehadetit, por ata më refuzonin nga frika e reagimit të prindërve të mi dhe të rrethit. Por unë megjithatë, këmbëngulëse në dëshirën time, kërkoja prej tyre të më bëhen dëshmitarë duke i pyetur: Çka nëse sonte unë vdes dhe të dal para Allahut si e krishterë, a do ta pranonit këtë gabim që keni refuzuar të më bëheni dëshmitarë?!

Natyrisht, të prekur nga kjo, më thanë të shkoja në shtëpinë e tyre, ku ata më prisnin prej atij momenti. Atje vesha veshjen islame, e vendosa shaminë në kokë dhe para tyre dhe para vajzës së tyre tre vjeçare deklarova shehadetin: “Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah ve esh-hedu enne muhammeden abduhu ve resuluhu”. Pastaj të gjithë së bashku falëm akshamin, e më pas shkova në shtëpi që të lahesha, dhe e pastër para Allahut ta fali namazin tim të parë të pavarur.

Nga gëzimi i pamasë dhe mallëngjimi mezi arrita të paktën të flija disa orë. Në mëngjes menjëherë u tregova banueseve të dhomës dhe motrës sime më të re se unë kam ndërruar fenë. Me habit fakti se askush nuk ishte aq i lumtur sa isha unë. Atëherë, kuptova se ata nuk mund të jenë të lumtur, ngase nuk e dinë ç’është Islami, nuk e njohin Allahun. Kjo ishte në fund të janarit të vitit 2002.

Një muaj pas kalimit në Islam, për herë të parë vendosa të shkoj në xhami. Kjo ndodhi rastësisht disa ditë pas Kurban Bajramit. Allahu deshi që të shkoja në xhami pak para fillimit të namazit të akshamit. Nuk kam ditur asgjë se në atë kohë është ligjëruar për motra dhe vëllezër në hapësirat e xhamisë. Vetëm se kur jam nisur për në namaz kam parë një grumbull të rinjsh e të rejash duke dalë nga medreseja dhe hynë në xhami. Hipa në tarracën (mafilin) e xhamisë ku faleshin femrat, ishte ftohtë në atë kat. Motrat ishin renditur në saf, ndërsa unë e padijshme nuk e dija se duhet t’u afrohem atyre. Njëra prej motrave më dëftoi me dorë që t’u afrohem dhe ta plotësoja safin. Atë ngrohtësi të zemrës dhe atë ngazëllim në namaz po e përjetoja për herë të parë. Kur imami tha zëshëm: “Allahu ekber”, xhamia e vogël beogradase është dridhur së bashku me mua. Doja të fluturoja, të qaja, të bërtisja nga gëzimi e lumturia!!! Pas përfundimit të namazit jam njohur me motrat, të cilat thanë tekbiret dhe qanë nga gëzimi kur mësuan se dikush ka gjetur Islamin. Aty mësova se kishte edhe motra tjera serbe që kishin ndërruar fenë. Allahu ekber!!!

Jo shumë gjatë pas kësaj, fillova të takohem sa më shpesh me motrat, së paku një herë në javë. Sa më shumë mësoja për fenë e Allahut dhe isha më e lumtur për çdo informacion të ri. Para meje u hap një horizont i ri, të cilin më herët nuk e kisha parë e as ditur. Për herë të parë në jetë e përjetoja kënaqësinë dhe gëzimin në lutje!!! Andaj, arrita të kuptoj çka do të thotë që sinqerisht të biesh në sexhde për Allahun!!! E kuptova se si janë ndier miliona muslimanë që 14 shekuj e më tepër, pjesë e të cilëve tanimë jam edhe unë. Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, i Cili më zgjodhi dhe më udhezoi, El-hamdulil-lah!!! Prindërve nuk kam guxuar t’u tregoj asgjë. Përderisa isha në Beograd mund t’ua fshihja të vërtetën deri në verë, kur duhej të kthehesha në shtëpi.

Diku në pranverë, nëna ime erdhi në Beograd për disa ditë. U përpoqa t’ia them të vërtetën, por nuk arrija dot, nuk kisha guxim, andaj dhe disa ditë jam falur duke u fshehur nga ajo. Mirëpo, dashuria ndaj Allahut më forcoi, dhe një dite në vend që ta përgatiti sa më bukur këtë, vendosa shaminë në kokë… në pyetjen e saj se çfarë bëj, i thashë: “Po shkoj të falem, e pastaj flasim për gjithçka”. Nëna ime e mirë, e tëra në lot, pas përfundimit të namazit tim hyri në dhomë, më puthi dhe qetas qante. Nuk ishte e hidhëruar, por vetëm e hutuar. Më tha që babait të mos i them asgjë derisa ajo ta parapërgatitte për këtë, ngase atij do t’i vinte rëndë kjo. Natyrisht, babai këtë e kuptoi gabimisht, gjoja se unë dua të jem muslimane për shkak të martesës së ardhme me një musliman. Përgjithësisht, e falënderoj Allahun, se familja ime më ka pritur mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në tërë këtë!!

Në verën e vitit 2002, në vend që në qershor të kthehesha në Vranjë, unë shkova në Bosnjë në një kamp në Sarajevë. Atje kishte shumë femra nga Sanxhaku, Bosnja dhe Serbia, të cilat ishin mbledhur në atë vend që tërë kohën ta madhëronin dhe adhuronin Allahun xhel-le shanuhu, si dhe për t’i njohur motrat e reja muslimane. Me mua në grup ishte edhe një motër serbe, e cila e kishte pranuar Islamin një vit para meje. Pas kalimit një muaj e gjysmë në Sarajevë kthehem në shtëpi në Vranjë.

Nuk kam mundur ta manifestoj haptas Islamin. Nuk kam mundur ta bart hixhabin, më është dashur të fshihesha kur doja të falem që të mos me shihnin fqinjët ose të afërmit, të cilët vinin në vizitë. Sidoqoftë, mu për këtë shkak që duhej ta fshihja këtë, Islami gjithnjë e më shumë kishte kuptim në jetën time. Ishte ndjenjë e ëmbël (e mirë) të jesh muslimane dhe ta dish se je njëra prej robërve të zgjedhur e të lumtur të Allahut, inshaallah. Atë vit, për herë të parë agjërova Ramazanin vetëm, pa shokët e mi arabë. Nuk më erdhi vështirë. Jo shumë pas fillimit të Ramazanit, babai im e ftoi shokun e tij shqiptar të na vizitojë, dhe me këtë rast ai më ftoi që të shkoj tek ai dhe gruaja e tij e t’i kaloj tek ata disa ditë gjatë agjërimit. Ishte e papërshkrueshme, tepër bukur të jesh përsëri në mesin e muslimanëve. Nuk e di çfarë është ajo ndjenjë që e kaplon njeriun kur gjendet në mes të muslimanëve, por e di se unë ndjehem si një trup dhe shpirt me motrat dhe vëllezërit muslimanë. Thonë se njeriu mund ta përjetojë këtë, ngase Allahu i bashkon zemrat e njëjta (të përafërta).

Kështu kaloi një vit dhe përfundimisht mora vizën për të dalë jashtë vendit. Menjëherë pas kësaj udhëtova për në Libi së bashku me nënën, ndërsa një muaj më vonë u martova me atë shokun tim. Tanimë ai është shoku im i jetës, dhe mashaallah është një bashkëshort tejet i mirë. Allahu ma ka dhuruar një njeri, të tillë që as vet nuk do të kisha ditur ta kërkoja më të mirë, ngase i posedon cilësitë që shumë njerëz nuk i kanë, por Allahu e di më së miri!

Jeta ime si muslimane dhe si besimtare kuptohet është lehtësuar shumë me shkuarjen time në Libi, ngase atje gati secila grua e bartë hixhabin. Porse, kam vërejtur se atje disi jam dobësuar në anën e imanit, nuk e ndjeja atë ngazëllim në namaz sikur që e përjetoja kur jetoja në mesin e jomuslimanëve.

Allahu na ka sprovuar mua dhe bashkëshortin tim të mos kemi ende fëmijë, të cilët i duam aq shumë, por shpresojmë në Mëshirën e Allahut dhe e dimë se një ditë, nëse do Allahu, kërkesat tona do të plotësohen.

Tash, gati thuaja dy vjet pas martesës, për herë të parë vij në vizitë të prindërve të mi në Vranjë. Jam duke kaluar nëpër shumë sprova të ndryshme në këtë mjedis, ngase e barti hixhabin (madje shumë mendojnë se jam shqiptare muslimane), edhe pse për këtë mua më vjen mirë. E di se Allahu, inshaallah me secilën sprovë do të m’i fshijë disa nga mëkatet e mia.

Kur ta krahasoj veten me sahabët e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e kuptoj se unë asgjë s’kam vuajtur në jetë. Shpesh në rrugë dëgjoj komente të ndryshme, sharje në llogarinë time, fjalë fyese… por unë përpiqem të mos i dëgjoj (të mos ua vë veshin), të jem gjithmonë e buzëqeshur, ta kem zemrën të pastër dhe që ato shigjeta helmuese të drejtuara kah unë të mos arrijnë në zemrën time. Këtu është Jugu i Serbisë dhe nuk mund të pres prej këtyre njerëzve të kuptojnë se ç’do të thotë shamia ime. Për ta kjo paraqet kërcënim. Për mua kjo shami është siguri, hyrja ime në Xhenet inshaallah, mbrojtja ime. Pa të, më nuk di as të dal në rrug, do të ndjehesha si të jem e zhveshur lakuriq.

Lus Allahun që këta njerëz t’i udhëzojë, t’ua ndriçojë zemrat e tyre që një ditë ta kuptojnë të vërtetën e fesë së Allahut, aminë!!!

Për fund, dëshiroj t’i drejtohem Allahut të Lartësuar me lutje që ne muslimanëve besimtarë të na udhëzojë në rrugën që na dërgon drejt në Xhenet, dhe të na i falë mëkatet tona, të vogla e të mëdha, si dhe të na mbledh të gjithëve nën freskinë e Tij në Xhenet kur nuk ka freski tjetër, aminë!!!

Po ashtu lus Allahun që t’i mëshirojë prindërit dhe motrat e mia, që edhe ata t’i udhëzojë në Islam, t’ua ndriçojë zemrat dhe mendjet e tyre, aminë!!! Lus Allahun e Mëshirshëm të mëshirojë të gjithë ata që sinqerisht kërkojnë përgjigje në fe dhe t’i udhëzojë në Sirat Mustekim (Rrugën e Drejtë). Aminë ja Rabb!! Familja ime ende nuk është në Islam, por shpesh dhe shumë lexojnë për të. Disa bindje e besime të devijuara kam arritur me ndihmën e Allahut që t’ua evitoj El-hamdulil-lah!!! Lus motrat dhe vëllezërit muslimanë që të bëjnë dua për prindërit dhe motrat e mia që sa më shpejt të na bashkohen në rrugën e Allahut!!! Lus Allahun që të gjithë juve t’ju shpërblejë dhe të gjithëve të na meshirojë, aminë!

Motra juaj në Islam

Aleksandra Iman Djordjevi?.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re