Gazetari Alfred Lela i ftuar në “A Show”, ka zbuluar se do të jetë prezantuesi i një programi të ri televiziv në RTV Ora.

I pyetur se përse zgjodhi të nisë programin e tij tani në kushtet e vështira kur ndodhet ky TV, ai tha: “Mendoj se po futem në ringun e duhur. Ajo që po i ndodh Ora News nuk është se më stepi, madje më inkurajoi. Unë vetëm kam qenë i linçuar nga pushteti”.

“Kolegët e Ora News janë përballur me shantazhe. Në këto kushte duket sikur jemi në një karantinë mediatike,” tha ai.

“Jemi në këto kushte kur po të shëtisësh me sytë e mendjes në organet e medias apo në portale, e ke shumë të qartë se cilët janë me kë dhe për cilat arsye. E rëndësishme është që gazetarët e ndershëm të lejohen të bëjnë atë që mendojnë, atë që ndërtojnë brenda vetes, duke respektuar edhe parimet e profesionit, pa i shkelur ato, sidomos pa i shkelur trashë. Ne jemi në kushtet kur parimet e profesionit shkelen trashë,” tha ai.

Lela bëri edhe një parashikim për vitin zgjedhor.

“Do jetë një vit i ashpër politik sepse do të reflektojë betejën politike, e cila është betejë ekonomike në thelb, është betejë për të kapur territore, për të mbajtur territore, për ta ndarë Shqipërinë sipas PPP-ve, sipas llokmave, që po shkojnë gjithmonë e më shumë në duart e pak njerëzve,” tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re