Kryeministri Edi Rama bërë me dije gjatë vizitës që kishte në Vlorë ditën e sotme se të dielën do të nisë vaksinimi i kategorisë së personaliteteve, mbi 80-vjeç, ndërsa nuk dha detaje se mbi çfarë kriteresh janë përzgjedhur emrat që do të marrin dozat.
Pjesë e kësaj liste është dhe ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili në një prononcim për Abcneës.al, konfirmoi faktin që ishte kontaktuar nga ministria.
“Po, më ka njoftuar, ditën e diel në orën 09:30 për të bërë vaksinën te stadiumi “Air Albania”. Duket se kanë vendosur drejt, pasi mosha jonë, sikur thotë populli një “saçme kërkon”. Është moshë që e përballon me vështirësi një sëmundje të tillë. Mendoj që është vendim i drejtë”, tha Moisiu
Ish-presidenti kritikon qytetarët për faktin që nuk respektojnë masat anti-covid, por edhe partitë politike që po i shkelin në takimet elektorale.
“Populli është i padisiplinuar, rrinë pa maska, që është një mjet i domosdoshëm për t’u mbrojtur. E dyta distanca nuk mbahet. Shikoj edhe veprimtaritë politike që shkelen me të dyja këmbët, është shembull shumë negativ, duhet dënuar me rreptësi” tha Alfred Moisiu.
/faxweb
