Këshilltari i Presidentit të Algjerisë, Abdelmadjid al-Sheikh, tha sot se vendi i tij nuk përjashton mundësinë e arbitrazhit ndërkombëtar për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Francën rreth arkivit të epokës koloniale franceze.

“Nuk ka asgjë që i ndalon njerëzit të shfrytëzojnë arbitrazhin ndërkombëtar ose të paraqesin çështjen tek organet gjyqësore ndërkombëtare në të ardhmen”, tha këshilltari al-Sheikh në një intervistë në radio.

Autoritetet algjeriane thonë se gjatë periudhës koloniale (1830-1962) forcat franceze kontrabanduan qindra mijëra harta dhe dokumente historike, përfshirë ato që datojnë që nga periudha osmane (1518-1830).

Megjithatë, autoritetet franceze thonë se dokumentet në lidhje me periudhën koloniale të Algjerisë janë pjesë e sovranitetit të vendit.

Para 4 vitesh, Algjeri dhe Parisi kishin negociuar për katër dosje, njëra prej të cilave ndërlidhej me arkivin algjerian, por Franca refuzoi t’ia dorëzojë atë Algjerisë.

Negociatat gjithashtu vazhduan lidhur me rikthimin e kafkave të luftëtarëve algjerianë të lirisë, kompensimet për viktimat e testeve bërthamore franceze në Saharën Algjeriane dhe fatin e atyre që u zhdukën gjatë revolucionit algjerian kundër kolonializmit francez.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re