Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar sot publikisht nga qeveria anulimin e katër tenderëvë me vlerë 7 milion euro, para të cilat sipas tij mund të kanalizohen në përballimin e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Përmes një konference për shtyp, Alibeaj tha se këto tenderë nuk janë prioritare tani dhe mund të anulohen për të ndihmuar sektorin e shëndetësisë.

“Dje janë hapur 4 tendera me vlerë 7 milionë euro për projekte që tani nuk janë prioritet.

4 tendera që nuk kanë lidhje as me shëndetësinë, as me ndihmën sociale dhe të papunët, as me ndihmën për bizneset e mbyllura.

Qeveria ka planifikuar që 7 milion euro të shkojnë për rikualifikime urbane në vend që të shkojnë për të ruajtur mijëra vende pune nga mbyllja e detyruar e bizneseve”, u shpreh Alibeaj.

Deklarata e plotë e Alibeajt

Edi Rama tjetër thotë dhe tjetër bën. Flet për luftë kundër koronavirusit, por në vend të financimit të luftës, çon miliona euro tek kompanitë e ndërtimit.

Dje janë hapur 4 tendera me vlerë 7 milionë euro për projekte që tani nuk janë prioritet.

4 tendera që nuk kanë lidhje as me shëndetësinë, as me ndihmën sociale dhe të papunët, as me ndihmën për bizneset e mbyllura.

Qeveria ka planifikuar që 7 milionë euro të shkojnë për rikualifikime urbane në vend që të shkojnë për të ruajtur mijëra vende pune nga mbyllja e detyruar e bizneseve.

Vendi tani nuk ka nevojë për shpenzime të padobishme! Me zgjerimin e hartës së pandemisë në Shqipëri, me rritjen e numrit të të prekurve nga COVID 19 dhe me rritjen e numrit të viktimave, qeveria duhet të kish hequr dorë nga vendimet që pasurojnë një grusht njerëzish në kurriz të shëndetit të shqiptarëve.

Shqipëria nuk e ka luksin të paguajë 7 milionë euro me një dorë, për të hedhur beton nëpër qytete.

Partia Demokratike i kërkon qeverisë të anullojë menjëherë procedurat për tenderimin e këtyre 7 milionë eurove dhe të çdo projekti tjetër, që nuk bën pjesë në 3 prioritetet e shqiptarëve: shëndetësinë, ndihmën për familjet në nevojë, pagesat për punonjësit e biznesve të mbyllura.

7 milionë euro të tenderuara në një ditë për beton mund të shkojnë në një drejtim shumë të vlefshëm. T’i përdorë për shëndetësinë, për dezinfektimin e qyteteve, të rrugëve dhe banesave të shqiptarëve. Të financojë qindra mijëra njerëz në kufij të mbijetesës. Të garantojë se konsumi, bizneset dhe punësimi nuk do të shemben përtokë nga kriza.

Këto dhe jo betoni korruptiv janë shërbimi më i mirë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re