E fundit që dorëzoi kërkesën për t’u regjistruar për vendoret e majit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ishte Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashën.

 

Në dokumentet e paraqitura, është ai i gjykatës që mban datën 1 mars të këtij viti, sipas të cilit i dorëhequri vetëm publikisht, por jo ligjërisht është Lulzim Basha dhe autorizimi që detyrimet e tij për proceset zgjedhore ia delegon tre personave, Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Indrit Sefa.

 

Autorizimi me firmën e Lulzim Bashës mban datën 18 mars të 2022-it, tre ditë para se ai të deklaronte dorëheqjen nga kryesimi i Partisë Demokratike. Në të vetmin dokument ligjor, ku gjendet firma dhe emri i zëvendësuesit të Lulzim Bashës, ai i Enkelejd Alibeaj, është te deklarata ku angazhohet për respektim të kodit zgjedhor.

 

Me dorëzimin e saj, në tryezën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjenden kërkesat e dy Partive Demokratike, ajo me kryetar Sali Berishën dhe ajo me kryetar Lulzim Bashën. Të dy kërkojnë regjistrimin, për zgjedhjet e 14 majit.

 

Në dalje përfaqësuesi ligjor i PD-së së Bashës në KQZ deklaroi:

 

INDRIT SEFA

 

SEKRETAR PER ÇESHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE, PD

 

Do e vlerësojë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ka Komision Qendror të Zgjedhjeve, është praktikë e përcaktuar në kod, e ndjekur nga të gjitha partitë politike.

 

Vendimi se cila nga PD-të do të garojë me simbolet e saj dhe emri i cilit prej kryetarëve do të vendoset në fletën e votimit, ai i Lulzim Bashës apo Sali Berishës, do t’i takojë Ilirjan Celibashit.

 

Komisioneri është deklaruar se vendimmarrja do të bëhet pas verifikimit të ligjshmërisë së dokumenteve të dy PD-ve, që duket se lehtësinë e parë ia dha vendimi i Gjykatës së Apelit, që vulën ja la fraksionit të Alibeaj.

 

Nga ky vendim do të varet edhe se cila nga PD-të ka të drejtën e komisionerëve dhe përfitimin e parave, që qeveria jep për fushatën zgjedhore.

 

6 marsi mbyll edhe afatin e dorëzimit të kërkesave të partive për t’u regjistruar për zgjedhjen e kryebashkiakëve dhe këshillave bashkiakë të rinj.

 

Përveç partive të mëdha, interes kanë treguar mbi 30 subjekte të vogla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko