Ish kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj iu është përgjigjur akuzat të Berishës, duke e konsideruar atë si të zhytur në mjerim dhe të braktisur edhe nga vetë mbështetësit e tij.
Alibeaj i ka konsideruar deklaratat e Berishës në drejtim të tij si shpifje të zakonshme ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ai.
“Humbësi i zgjedhjeve të 14 majit ka vijuar dhe sot serinë e përsëritjes së justifikimeve bajate që nuk ja hanë më as kandidatët dhe as besnikët e tij. I zhytur në mjerimin e mungesës së shpresës dhe alternativës, Sali Berisha vijon serinë e shpalljes së armiqve me shpifjet e zakonshme dhe banalitetin konstant, për të gjjthë ata që mendojnë ndryshe nga ai”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Alibeaj deklaron se e vetmja formë që fundi i palavdishëm i Berishës, siç e quan ai, të përfundojë është largimi nga politika.
Sipas tij në këtë formë ish kreu historik i PD do të ruante dhe atë pak dinjitet që i ka mbetur.
Alibeaj thekson sërish se Berisha i shërben Ramës dhe interesave të tij personal.
“I dëshpëruar por i palodhur nga përpjekja për të përçarë PD, i rrënuar moralisht por i paepur në përpjekjen për të mbajtur peng një pjesë të demokratëve, me ligësinë e dikujt që koha dhe veprat ia kanë shkruar fundin e palavdishëm, ndaj Sali Berishës ka vetëm një zgjidhje: të largohet i braktisur dhe të heshtë duke marrë me vete edhe atë fije dinjiteti, nëse i ka mbetur. Kështu demokratët do të fitojnë mundësinë për të qenë alternativë e re për shqiptarët. Duke lënë pas të shkuarën dhe pa ngarkesat e korrupsionit familjar dhe të shpurës së tij, pesha e të cilave i shërbejnë veçse Ramës e të ngjashmëve të tij për ta mbajtur gjallë në politikë dhe që i kanë lënë demokratët në opozitë”, shkruan Alibeaj.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha akuzoi Alibeajn se së bashku me kryesocialistin Edi Rama janë të lidhur me krimin.