Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka komentuar nga Saranda zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, duke theksuar se ai është i vendosur të ndahet nga historia politike 30-vjeçare e tranzicionit dhe historia e 3 dekadave të fundit të PD, duke nënkuptuar Sali Berishën.

 

Dy ditë pasi ka përjashtuar 4 deputetë e përballë lëvizjes së një pjese të deputetëve për ta shkarkuar, Alibeaj ka vënë në dukje është kryetari legjitim i grupit dhe kreu në detyrë i Partisë Demokratike.

 

ENKELEJD ALIBEAJ

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

 

“Unë jam kryetar i grupit, jam edhe ushtrues i detyrës së drejtuesit të PD dhe unë jam përfaqësues i atyre deputeteve dhe demokrateve qe kane vendosur te shkëputen nga e shkuara 30 vjeçare e politikes shqiptare.”

 

Alibeaj ka përsëritur se do të nxjerrë kandidatë për betejën e 14 majit.

 

“Unë kam detyrimin qe ne te paraqitemi ne zgjedhjet lokale”

 

Alibeaj ka ironizuar edhe kandidatët e Partisë Demokratike, të cilët kanë dalë nga procesi i primareve.

 

“S’mund të ketë një kandidat të PD që garon me siglën e Partisë së Lirisë”

 

Prej disa javësh në PD ka nisur një lëvizje për shkarkimin e Enkelejd Alibeajt. Deputeti Ervin Salianji ka arritur të marrë mbështetjen e deputetëve që drejtohen nga Sali Berisha dhe disa deputetëve, që nuk janë me liderin historik të PD dhe aktualisht ka nevojë vetëm për një firmë për të shkarkuar Enkelejd Alibeajn.