Kreu i komanduar i PD, Enkelejd Aliebaj ka kërkuar votëbesimin e qytetarëve duke iu kërkuar që të mos votojnë kundërshtarët, të cilëve iu referua si fosile politike. Në një takim me demokratët e degën nr.9 të Tiranës, Alibeaj theksoi se shqiptarët nuk i kanë besuar për shkak të gjurmëve së të shkuarës që dikur kjo forcë politike mbarte.

 

“E provuam në 2013, na përzunë shqiptarët, dhe po fus edhe veten. Sa kohë kemi pasur gjurmët e këqija të së shkuarës korruptive, shqiptarët as na besojnë dhe as votojnë. Për këtë arsye ka vetëm një mënyrë sesi mund të ndryshohet faqja e këtij vendi. Vetëm duke qenë të sinqertë me veten dhe duke u distancuar në mënyrë të plotë dhe pa asnjë lëshim nga e shkuara korruptive. Dhe duke i refuzuar të tre, të tre dinozaurët e politikës, fosilet politike të Shqipërisë 32-vjeçare: Edi Rama ka nga ’98 që është në pushtet, Sali Berisha, dy herë president dhe dy herë kryeministër dhe një herë non grata, dhe Ilir Meta, miku dhe shoku dhe armiku, sipas rastit, me njërin apo me tjetrin”, tha ai.

 

Alibeaj gjithashtu theksoi se PD gëzon mbështetje qytetare por edhe nga Perëndimi, ndaj ka të gjitha mundësitë për të korrur një rezultat pozitiv në vendoret e 14 majit.

 

“Duket sikur jemi një popull jo inteligjent për të kuptuar sesi duhet të funksionojë demokracia. Ka një kohë për të ardhur në politikë, për të arritur lavdinë, por edhe për të ikur. Vetëm në Shqipëri, vetëm për këta tre vetë, kjo ligjësi që është kudo në botë nuk funksionoka. E pra, do të duhet të djalë dikush, që ta prishë, ta thyejë këtë rregull që ka mbajtur mbyllur dhe po e mbyt këtë vend. Mund ta bëjmë vetëm ne, dhe askush tjetër. Zgjidhje nga qielli nuk ka për të ardhur. Ndihmë nga Perëndimi kemi, mbështetje kemi. Nuk duhet të rrimë të presim se ç’do të bëjnë ata”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, kandidati i PD për Tiranën, Roland Bejko theksoi se ka si synim që pas marrjes së mandatit të “çlirojë” Tiranën nga kullat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re