Presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev i dërgoi mesazh ngushëllimi presidentit Recep Tayyip Erdoğan për tërmetin 7.4 ballë me epiqendër rajonin Pazarcık në qytetin Kahramanmaraş të Turqisë dhe i cili ka prekur gjithsej 10 qytete.
Sipas një deklarate nga Presidenca e Azerbajxhanit thuhet se Aliyev në mesazhin e tij ka thënë: “Jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi i humbjes së shumë jetëve dhe shkatërrimeve si pasojë e tërmetit të rëndë që ndodhi në Kahramanmaraş dhe i cili u ndje në shumë pjesë të Turqisë vëlla”.
“Në këtë periudhë të vështirë jemi të gatshëm për çdo lloj ndihme. Personalisht dhe në emër të popullit të Azerbajxhanit ju shpreh ngushëllimet familjeve dhe të afërmve të atyre që kanë humbur jetën si dhe ju uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Uroj që ndikimet nga tërmeti të eliminohen sa më shpejt”.
Burimi: AA