Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev kritikoi Këshillin e Evropës dhe Parlamentin Evropian për heshtjen ndaj sulmeve armene ndaj zonave civile në Nago-Karabak, si dhe për mosreagimin ndaj presionit të autoriteteve armene ndaj opozitës së vendit.

Duke iu drejtuar kombit me rastin e çlirimit të rajonit Agdam nga okupimi Armen, ai përgëzoi të gjithë azerbajxhanasit për këtë ngjarje.

Ai vuri në dukje se ata ishin përpjekur për vite me radhë për të zgjidhur çështjen e Nago-Karabakut përmes paqes, por meqenëse kjo nuk ishte e mundur, ata iu drejtuan mjeteve ushtarake duke përdorur të drejtat e tyre ligjore.

Aliyev e përshkroi çlirimin e Agdamit nga okupimi si një “ngjarje historike” dhe kujtoi se 143,000 azerbajxhanas jetonin në Agdam përpara okupimit, ndërsa tani ky numër ka arritur në 203,000.

Ai kujtoi se ata kanë zbatuar projekte të mëdha zhvillimi në zonat e Agdamit që nuk kanë qenë nën okupim deri më tani.

“Tani një epokë e re po fillon për Agdamin. Ne kemi plane të mëdha. Gjithçka është shkatërruar në territorin e okupuar. Ne do të rindërtojmë qytetin e Agdamit. Shteti do të ndihmojë qytetarët të kthehen atje,” tha Aliyev.

“Agdam u shpëtua falë fitores sonë të lavdishme ushtarake. Nëse Azerbajxhani nuk do ta kishte mundur Armeninë në fushën e betejës, Armenia nuk do të ishte larguar vullnetarisht nga vendi ynë,” shtoi ai.

Ai më tej deklaroi se Armenia ishte mposhtur dhe se e kishte pranuar humbjen.

“Armenia është një vend i dështuar. Cila është arsyeja e këtij dështimi? Pushtimi. Unë e kam thënë këtë shumë herë. Unë thashë që ky okupim do ta çojë Armeninë në shkatërrim. Unë thashë që ne kurrë nuk do ta pranojmë këtë okupim, se herët a vonë do të kthejmë vendin tonë Armenia nuk ka qenë një vend i pavarur për gati 30 vjet, nuk është i pavarur as sot. Armenia është, në fakt, një koloni,” tha Aliyev.

Ai shtoi se okupimi nuk i solli asgjë Armenisë, ata u turpëruan para gjithë botës, sepse u mundën në fushën e betejës. Ata do të kujtohen si një “vend i mundur”.

“Unë u thashë atyre të vinin në vete në kohë dhe t’i jepnin fund pushtimit. Për sa kohë që zgjat ky okupim Armenia nuk do të mund të zhvillohet. Të varur politikisht, të varur ushtarakisht, ekonomikisht të paplotë … ata kanë formuar një themel shumë të dëmshëm ideologjik. Themelet e tyre ideologjike janë formuar mbi gënjeshtrat dhe mbi shtrembërimet historike”, tha Aliyev.

Por ai tha se fqinjësia me armenë në rajon me siguri do të vazhdojë.

“Si president, unë mbështes përfundimin e armiqësive në Kaukazin e Jugut dhe krijimin e marrëdhënieve normale. Ne nuk kemi asnjë problem me popullin armen. Unë jam i sigurt se armenët që jetojnë në Nago-Karabak një ditë do të kuptojnë se mënyra e tyre e vetme është të jetojnë krah për krah me popullin azer dhe të heqin dorë nga të gjitha këto veprime të shëmtuara”, tha Aliyev.

Ai vuri në dukje mungesën e reagimeve nga vendet perëndimore ndaj presionit mbi opozitën armene për shkak të krizës së brendshme në atë vend.

“Një udhëheqës i opozitës arrestohet çdo ditë në Armeni. A ka reaguar të paktën një vend perëndimor për këtë? Jo. A e ka dënuar atë? Jo. Udhëheqësit e partive kryesore të opozitës janë arrestuar. Askush nuk ka thënë asgjë. Këshilli i Evropës, ku jeni? Ku është? Këshilli i Evropës, i cili nënçmon Azerbajxhanin dhe përpiqet të na lëkundë reputacionin, pse heshtni? Ku është demokracia juaj, të drejtat e njeriut? Parlamenti Evropian ka miratuar 10 rezoluta kundër Azerbajxhanit, bazuar në gënjeshtra. Pse Parlamenti Evropian hesht? Ata qëlluan kundër nesh me një raketë balistike, bombë thërrmuese, bomba fosfori, ju heshtët për këtë Pse heshtni?”, ishin fjalët e Aliyev.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re