Prej disa ditësh tanimë në mediat italiane, por edhe në rrjetet
sociale ka plasur një furtunë e vërtetë në lidhje me Festivalin italian
të Këngës, Sanremon.
Ka qenë Amadeus, pseudonimi i Amedeo Umberto Rita Sebastiani, një
prezantues televiziv i njohur, dhe drejtori artistik i Sanremos, i cili
gjatë konferencës së parë për Sanremon është akuzuar për seksizëm.
Gjithçka nisi kur ai prezantoi Francesca Sofia Novellom, të dashurën e
Valentino Rossi , dhe tha ” Ne e kemi përzgjedhur këtë prezantuese për
aftësinë që ka për të qenë pranë një njeriu të madh”.
E pikërisht kjo fjalë, duket se ka nxitur protesta në rrjet dhe në media.
Tanimë qindra persona, feministë e njerëz me ndikim po kërkojnë të bojkotohet Sanremo.
Edhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka reaguar ashpër, duke bërë thirrje për të bojkotuar Sanremon.
Postimi i Mirela Kumbaros:
A thua të jemi vërtet në vitin 2020 ?!?! Kam gati 3 dekada që thuajse
nuk e ndjek më Sanremon, qysh kur Liria e pas viteve 90’, na dha
mundësinë e zgjedhjeve përtej spektaklit bardhë e zi me “mizat” e
antenave “kanoçe” që na mundesonin zbulimin e festivalit të këngëve
italiane, dhe përtej këngëve të Eurovizionit që na lejonte me pikatore
diktatura.
Por më trondit fakti që ndërsa muzika e arti ndjekin rrugën e tyre
përpara, mizogjinia, seksizmi dhe injoranca mbajnë me kokëfortësi vendin
e parë në skenat popullore, për të ruajtur egzistencën e tyre përmes
vezullimit të xixave dhe broçkullave të injorancës.
Nuk është thjesht një idiot i radhës që flet, por një pjesë e
konsiderueshme e shoqërisë së shekullit XXI që fatkeqësisht zë ende një
hapësirë të madhe publike duke mbajtur peng dritat e skenës. Gruas i
kërkohet vetëm të jetë e bukur! Asnjë meritë tjetër! Sepse “gratë duhet
të kakarisin vetëm në kotec”, thoshte Kapedani…
Ndërkohë, jam e bindur, pa i njohur, se zonjat që ka në krahë duhet
të kenë shumë më tepër cilësi dhe aftësi se sa vetëm bukuria e tyre.
Prandaj ato duhet të flasin! Do bindin më mirë shoqërinë!
#BOJKOT
As këtë vit, si në këta 30 vjet, s’kisha ndërmend të jepja nga koha
ime për të ndjekur ditët e Sanremos, dhe s’besoj se jam e vetmja. Ama,
kësaj radhe do e shoqëroj edhe me thirrje për #BOJKOT !
Rruga për emancipim është ende shumë e gjatë. Dhe jo vetëm në Shqipëri! Të paktën s’jemi vetëm në këtë hall të madh.
